E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujkani, në grupin e penallti-pritësve

Quhet Samir, njëjtë si kolegu i tij Handanovic, ndërsa ka filluar t’i shfaqë aftësitë e pamohueshme ndërmjet dy shtyllave, edhe ndaj gjuajtësve të penalltive. Po flasim për Samir Ujkanin, portierin e Novarës, i cili të dielën që shkoi e ndali penalltinë e parë në Serie A.

‘Viktimë’ e tij ishte mesfushori i Cesenës, Antonio Candreva, të cilit ia mohoi golin për rezultatin 4:0. Përfaqësuesi shqiptar u bë kështu portieri i shtatë që e ndal së paku një 11 metërsh këtë sezon. Para tij një gjë të tillë e bëri Antonioli i Cesenës, Frey i Genoas, Castellazzi i Interit dhe Buffon i Juventusit.

Ende në krye, me nga dy penallti të pritura gjenden portieri i Chievos, Sorrentino dhe ai i Interit, Julio Cesar. Për Ujkanin, i lindur në vitin 1988, ky është sezoni i tretë në fanellën e Novarës, secilin prej tyre në kategori të ndryshme të futbollit italian. Ai është huazuar nga Palermo, kur ekipi i kaltër garonte në ligën e tretë italiane, për t’u ngritur në elitën e futbollit italian pas dy vjetësh.

Këtë vit ai ka zhvilluar 11 paraqitje, pasi që është ndaluar nga një lëndim në sfidën me Bolognan, ku kishte humbur disa dhëmbë. Pasi është kthyer, ai nuk ka hezituar ta rimarrë pozitën e titullarit me një maskë për të mos e përsëritur lëndimin e fundit. Përkundër paraqitjeve negative dhe vështirësive të ekipit, mesatarja e paraqitjeve të Ujkanit është e kënaqshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›