Ujku që kërkon MacGuffin
Kandidati i PS apo kandidati i PD? Gara zhvillohet e fortë, rrotë më rrotë, e po të dëgjosh komentatorët televizivë, mund të të krijohet përshtypja se po flasin për pilotë të Formulës 1. Mirëpo fatkeqësisht nuk po flasim për diçka po aq zbavitëse. Bombardimi me informacion të çfarëdollojshëm sjell shpërqendrim të publikut, sjell nervozizëm, sjell acarim e përgatitje për ndonjë të pabërë. Se stres është gjithë ky lëmsh që po krijohet. Çthotë një media, nuk e thotë tjetra e sikur të mos mjaftonte ky ekzagjerim në shpallje shifrash, flitet edhe për kompani bastesh, apo për koeficientë të njërit apo tjetrit kandidat.
Duhej ndërhyrë në këtë situatë karnavaleske, meqenëse ekziston instrumenti për të ndërhyrë. Publikut i është ofruar një rrugëdalje prej konfuzionit, dhe kjo rrugëdalje është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, institucioni që do të duhej të ofronte koordinatat e besueshme, transparente e të shpejta, duke zbutur sadopak zhurmën që bëhet për çfarëdolloj interesi pjesor.
Mirëpo kështu ndodh vetëm në letër, ose vetëm po të lexosh ligjin e rregulloren që përshkruan detyrat e funksionimin e KQZ. De facto KQZ vepron ndryshe. Vonesat në numërime e në shpallje, mungesa e transparencës, arroganca në deklarime e nëpër mbledhje, të gjitha këto duket sikur ndihmojnë në krijimin e asaj mjegullës që, sipas proverbit, dëshirohet aq shumë nga ujqërit (elektoralë). Nuk mjaftokërka një histori e tërë plot me rekorde kryeneçësie të panevojshme që kulmuan në mënyrë të palavdishme me djegien e fletëve të votimit të 2009 (kujtojmë që djegia e fletëve të votimit, ndërkohë që ende nuk ishte sqaruar dyshimi i opozitës mbi ato zgjedhje, është e barabartë me djegien e provave për një krim të supozuar), me pretekstin që nuk kishte kuti të lira, edhe pse pastaj kutitë u blenë të reja
Ben Ristani jo vetëm ngjan, por me sa duket edhe mendon si aktor filmash me cowboy. Aq thellë është rrasur në rolin e vet, saqë po na bind të gjithëve se KQZ-ja nuk është institucion publik, po një tjetër tokë e xanun me autorizim nga Partia, dhe vetë Beni (i hirosur nga Kryetari) sështë veçse i zoti i toks. Arroganca e Ristanit filloi të shfaqej që para zgjedhjeve, kur këmbëngulte se komisionerët e numëruesit e opozitës do ti zëvendësonte me profesionistë të paanshëm (që më pas u zbulua se ishin ish-anëtarë strukturash blu). Megjithatë, kulmi i performancës aktoreske të Ristanit erdhi në mbledhjen e pardjeshme, ku si një cowboy i vërtetë, ia plasi në sy anëtarëve të opozitës në KQZ, faktin që burri në KQZ ishte ai, dhe që ata nuk mund ta përdornin foltoren e KQZ pa i marrë leje atij. Sepse natyrisht, për mentalitetin e cowboy-t kryetari i një komisioni ndërpartiak, kushtetues (pra publik), nuk është primus inter pares. Ai KQZ-në e ka me tapi, bashkë me foltoren e saj. E në mos e pastë me tapi, le të shkojë ta sqarojë këtë punë ai që ka tapinë Mentaliteti i zakonshëm i privatit uzurpues të çdo hapësire publike, i personit që edhe pse e merr rrogën nga populli, e sheh veten si eksplorator të perëndimit të egër, ku ata që e mendojnë ndryshe janë indianë lëkurëkuq, e duhen qëlluar, apo duhen kyçur në rezervat.
Kështu pra, Beni foli si burrat para kamerave, e po si burrat shau kur ikën kamerat, duke ekzaltuar organet e veta gjenitale (ka dalë në modë kjo punë, që kur Çili filloi të përdorë argumentimin e tij, me tashmë të famshmin trap).
Alfred Hitchcock, regjizori i famshëm britanik ka qenë pionier i shumë risive e teknikave filmike, sidomos në zhanrin e thrillerit psikologjik. Një nga teknikat që përdorte Hitchcock, së bashku me skenaristët e tij, quhet MacGuffin. Estetët e kinemasë e përshkruajnë MacGuffin si një element të skenarit që tërheq vëmendjen e publikut prej linjës kryesore të ngjarjes. Përdorimi i MacGuffin shton ankthin psikologjik, konfuzionin, si dhe hap rrugën për efektin surprizë të ngjarjes. Afër fundit të filmit mësohet se fokusimi tek MacGuffin, në fakt ka qenë i parëndësishëm, dhe kulmi i ngjarjes ka qenë tjetërkund. Kështu edhe puna e Ristanit në KQZ. Ndërkohë që ky aktor vijon, në përputhje me skenarin e S.B., të ndërtojë pakënaqësi në opinion, të pengojë transparencën, të bëjë arrogantin gjithçka shkon në funksion të divergjencës, të shpërqendrimit të publikut, të medias e të kujtdo. Ky spektakël i përbuzshëm mund të shërbejë për të mbuluar ndonjë të vërtetë edhe më të përbuzshme. Se në fund fare, Ristani ska as nga kush të trembet. Fajin për vonesën në publikim mund tua lërë IT-ve e teknikëve të kompjuterave, fajin për procedurat e numërimit mund tua lërë komisionerëve e numëruesve, gjithçka e ka një përgjegjës tjetërkund. Në fund fare, ekziston edhe mundësia e djegies së fletëve
Në një shtet për të qenë KQZ-ja do të ishte duke përfunduar punën e vet fare qetësisht. Infrastruktura do të ishte përgatitur deri në detaj (se kohë kanë patur, fonde po ashtu). Absolutisht nuk do të kishte vend për cic-mice partiake në një shtet për të qenë. Sepse që në momentin e parë kur kryetari i një institucioni fillon të luajë garipin dhe fillon ti shkelë syrin pushtetit, do të qe pushuar nga puna. Askush nuk do ta mbronte, as partia e vet (sepse keqpërdorimi dhe abuzimi nuk është çështje partiake, është çështje ligjore). Ditët e fundit ka patur zgjedhje në Kanada, në Skoci, në Finlandë. Asnjë trazirë, asnjë gjullurdi. Edhe atje ka patur palë të pakënaqura e rekurse. Po askund stolerohet arroganca prej atyre që në fakt duhet të jenë garantë të mbarëvajtjes së garës. Prandaj Ristani është fenomen endemik. Si i tillë, konflikton me demokracinë, këtë aspiratë universale. Pra, është mirë ta kufizojmë e ta ruajmë nëpër muze, që tia tregojmë fëmijëve si shembull negativ, si ajo çka nuk duhet të jetë një shërbyes publik.
Keqfunksionimi i këtij institucioni publik nuk vjen veçse si vijim i personalizimit të publikes, si vijim i privatizimit të së përbashkëtës me logjikën e të fortit. Fenomeni Berisha, që deklaron publikisht se të vërtetën finale e thotë facebook-u, është skenaristi i thrillerit. E për sa kohë ne kënaqemi duke qenë thjesht spektatorë pasivë, përse të mos e lejojmë ta bëjë gjithë sheshin përshesh Ristani, gjithë ky aktor bukurosh!
*saktivista.com
