Ukraina bojkoton Olimpiadën

Ukraina ka vendosur të pozicionohet pasi IOC, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar rekomandoi kthimin e sportistëve rusë në garat ndërkombëtare, për sa kohë ata do të konkurrojnë me një flamur neutral dhe nuk e kanë mbështetur luftën në Ukrainë. Oleg Nemchinov, anëtar i Komitetit Olimpik të Ukrainës, ka njoftuar se sportistët nga vendi i tij nuk do të garojnë në Olimpiadë dhe Paraolimpiadë, në të cilat atletët rusë lejohen të garojnë.
Ai bëri të ditur arsyen e këtij vendimi. “Në mbledhjen e qeverisë u mor vendimi me propozimin e ministrit të Sportit dhe kryetarit të Komitetit Olimpik të Ukrainës, Vadym Gutzeit, për të garuar në Lojërat Olimpike dhe Paraolimpike, Paris 2024 vetëm në ato disiplina sportive ku nuk ka sportistë rusë”. Vendimin e IOC për të lejuar konkurrimin e sportistëve rusë në Olimpiadë e kanë kritikuar një numër i madh i federatave anëtare të këtij organizmi.
Por vendimi i Ukrainës nuk është mirëpritur nga presidenti i IOC, Thomas Bach, i cili gjithashtu ka kritikuar reagimet negative të disa vendeve evropiane ndaj riintegrimit të pjesshëm të rusëve dhe bjellorusëve në sportin ndërkombëtar, duke e quajtur ndërhyrjen e tyre politike “të mjerueshme”.
“Është për të ardhur keq që këto qeveri nuk e trajtojnë çështjen e standardeve të dyfishta,” – tha shefi i IOC, duke shpjeguar se nga “70 luftërat dhe konfliktet e armatosura në botë”, vetëm lufta në Ukrainë po shkakton presion politik në botën e sportit. Bach kritikoi gjithashtu Rusinë për pozicionin e saj, të cilin ai e përshkroi si “absolutisht të papranueshëm”, pasi Moska deklaroi se kushtet e IOC ishin të tepruara.