Ukraina me ndihmën e SHBA-së dërgon uranium në Rusi

Një raport thotë se SHBA i kanë ndihmuar Ukrainës që të kryejë një operacion sekret për dërgimin në Rusi të sasisë së mjaftueshme të uraniumit për ndërtimin e dy bombave atomike.
Associated Press tha se rreth 50 kilogram të uraniumit të pasuruar është larguar nga Ukraina dhe është dërguar në Rusi.
Atje thuhet se do të përzihet dhe do të bëhet i padobishëm për të krijuar bombë atomike.
Associated Press tha se detajet e operacionit janë bërë të ditura nga Administrata amerikane Kombëtare për Sigurinë Atomike.
Në raport thuhet se operacioni i largimit është bërë në pesë fluturime për në tre qytete.
Thuhet se operacioni është shtyrë për shkak të stuhisë së akullt në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës Viktor Janukoviç është zotuar se do të heqë tërë uraniumin e pasuruar, një marrëveshje kjo e arritur në samitin për sigurinë atomike të organizuar nga presidenti Barak Obama në muajin prill.
Si shtytje, SHBA po i ofron Ukrainës uranium jo të pasuruar, që mund të përdoret në reaktorët për hulumtime të Ukrainës.