Ukrainë, akuza të reja ndaj Timoshenkos

Avokati mbrojtës i ish-kryeministres së Ukrainës, Julia Timoshenko, njoftoi se prokurorët kanë paraqitur katër akuza të reja kundër klientes së tij.
Avokati, Serhy Vllashenko, tha se të gjitha akuzat ndërlidhen me taksat dhe menaxhimin e kompanisë importuese të gazit në Ukrainë gjatë viteve 90-të.
Një gjykatë në Kiev e shpalli fajtore në muajin tetor Timoshenkon, figurën më të njohur e opozitës në Ukrainë, për urdhërimin dhe nënshkrimin ilegal të një kontrate me Rusinë për importin e gazit natyror.
Qeveritë e vendeve perëndimore kritikuan burgosjen e Timoshenkos dhe e cilësuan atë të motivuar politikisht.
Liderja e opozitës tha se është viktimë e hakmarrjes politike të presidentit, Viktor Janukoviç.
Timoshenko ka mohuar të gjitha akuzat që flasin për kohën e udhëheqjes së kompanisë, “Sistemet e Unifikuara të Energjisë”, që ishte importuesi kryesor i gazit rus për në Ukrainë prej vitit 1995 e deri më 1997.