Ukrainë, ambasadori amerikan kërkon takim me Timoshenkon

Ambasadori amerikan në Ukrainë, i kërkoi Ministrisë së Jashtme të këtij vendi t`i krijojë mundësi të takohet me udhëheqësen e burgosur të opozitës dhe ish kryeministren Julia Timoshenko.
Kërkesa e ambasadorit Xhon Tefts, i është përcjellë gjykatës së Kievit, ku Timoshenko po gjykohet nën akuzat për shpërdorim pushteti. Deri tani gjykata nuk ka kthyer ndonjë përgjigje.
Timoshenko u burgos javën e kaluar, pasi gjykatësi i çështjes tha se ajo nuk po zbatonte urdhërat e gjykatës.
Akuzat ndaj Timoshenkos vijnë nga një marrëveshje që ajo nënshkroi me Rusinë në vitin 2009, pas së cilës Rusia hoqi dorë nga bllokimi i furnizimit të Ukrainës me gaz natyror.
Prokurorët në Ukrainë thonë se ajo shkeli ligjin duke mos u konsultuar me qeverinë para nënshkrimit të marrëveshjes.