E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulen temperaturat, urgjencat plot me fëmijë e pacientë

Përgjatë 24 orëve në pediatri paraqiten mbi 200 pacientë, fluks në kardiologji e infektiv

Ulja e temperaturave me rreth 7 gradë celsius ka sjellë edhe shtim të menjëhershëm të qytetarëve që vizitohen në qendra shëndetësore, në poliklinika e madje edhe në spitale universitare. Brenda 24 orëve të fundit paraqiten në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” për konsultë e komplikacione si pasojë e virozës së stinës nga 200-250 fëmijë të moshave deri në 12 vjeç. fluks pacientësh ka pasur si në urgjencën e kardiologjisë ashtu edhe në shëbrimin e infektivit.

Shkaku kryesor i shtimit të fluksit të pacientëve është ulja e menjëhershme e temperaturave të cilat sipas parashikimit të sinomptikanëve do të vijojë e njejtë edhe në ditët e ardhshme.

Bilanci i kryer nga drejtoria e qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, lidhur me pacientët e prekur nga virozat shkon në rreth 350-400 persona brenda një ditë nate. Në çdo 24 orë në urgjencën e pediatrisë regjistrohen nga 200-250 pacientë të vegjël. Nga ana tjetër, në urgjencën e infektivit çdo ditë paraqiten me viroza të stinës, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes apo infeksione gastro-intestinale nga 50-100 pacientë. Po ashtu nga 100-150 pacientë paraqiten për konsultë e për shtrim në urgjencën e kardiologjisë. Më problematikët mbeten fëmijët e vegjël, të cilët sipas mjekëve pediatër janë edhe më të ndjeshëm ndaj ndryshimeve të temperaturave. Shenjat e virozës janë temperaturë, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes, këputje, dhembje kyçesh, shqetësime gastro-intestinale, mungesë oreksi, dhembje koke, sekrecione të hundëve.

Fëmijët e vegjël duhet të dërgohen menjëherë për vizitë pranë mjekut të familjes, në raste komplikacionesh pranë shërbimit të urgjencës së pediatrisë në Qendrën Spitalore universitare “Nënë Tereza”. Mjekët rekomandojnë banja me ujë të vakët në rast temperature. Moshat më të prekura nga gripi stinor janë fëmijët deri në 15 vjeç si dhe moshat mbi 55 vjeç. Mbizotëruese në stinën e dimrit janë infeksionet respiratore, megjithatë sipas raportit të ISHP-së ende nuk kemi një numër të lartë rastesh.

Këshillat që japin mjekët në këtë sezon lidhen me konsumin e ushqimeve të pasura me kalori, vitamina e proteina.

Këshillohet të evitohen kontaktet me njerëzit e sëmurë me gjendje gripale, individët e sëmurë me grip të evitojnë kontaktet me personat e tjerë. Po ashtu masat baze higjienike në veçanti, mbulimi kur kollitemi dhe teshtijmë, eliminimi i pështyrjes në tokë dhe larja e duarve janë të efektshme në parandalimin e gripit. Sakaq, sipas meteorologëve ditët në vijim moti do të karakterizohet nga i ftohti, nga temperatura të ulëta, që do të ulen përsëri me disa gradë celsius.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›