Sulmi “mbretëror” i studentëve londinezë
Fotot me fytyrën e Kamilës dhe Çarlsit, të frikësuar për vdekje, dhe ato të makinës mbretërore me xhamin e thyer, kanë bërë xhiron e botës. As çifti mbretëror nuk i shpëtoi dot zemërimit të madh të studentëve që protestonin me të drejtë për trefishimin e pagesës vjetore në universitete, duke e kthyer Londrën në një fushë beteje
Fotot me fytyrën e Kamilës, të frikësuar, dhe ato të makinës mbretërore me xhamin e thyer, kanë bërë xhiron e botës. As çifti mbretëror nuk i shpëtoi dot zemërimit të madh të studentëve, që protestonin rrugëve të Londrës, për trefishimin e taksës universitare. Një numër i madh protestuesish goditën me gurë, këpucë, bojë “Rolls Roys” makinën me të cilën po udhëtonin Çarls dhe Kamila. Çifti ishte nisur për të marrë pjesë në një shfaqje të përvitshme variete, kur u gjendën në mes të protestuesve që bërtisnin plot zemërim “T’u priten kokat” apo “Konservatorët e qelbur”. Çarlsi, gjatë gjithë kohës, mundohej të tregohej më i përmbajtur teksa mbante për dore dhe i jepte kurajë, dukeshës së frikësuar për vdekje. “Kur zbritën, Çarlsi u sigurua që Kamila ishte mirë, pavarësisht se dalloi qartë se sa e frikësuar ishte”, tha një prej dëshmitarëve që kishte ndjekur nga afër protestat. Sulmi ndaj familjes mbretërore solli edhe një herë ndërmend frikën, si për tentativën e dështuar për rrëmbimin e Princeshës Anne në vitin 1974. Vetëm një ditë pas incidentit, që nuk kurseu as familjen mbretërore në Londër, kanë nisur polemikat. Tema e debatit sigurisht që është përqendruar te rregulli publik. Kreu i policisë, Paul Stefenson, tha se do të nisë menjëherë një hetim i zgjeruar mbi atë çfarë ndodhi, duke iu përgjigjur edhe kërkesave për shpjegime të hollësishme të ngritura nga konservatorët. Hetimi do të përqendrohet veçanërisht në sigurinë e familjes mbretërore, pas sulmit që u krye të enjten mbi automjetin me të cilin udhëtonte trashëgimtari i fronit, princi Çarls dhe bashkëshortja e tij Kamila. Asnjë nga pjesëtarët e familjes mbretërore nuk pësoi ndonjë lëndim në incident. Gjatë protestës së shpërthyer në sheshin para Parlamentit, përpara votës së Dhomës së Komunëve, mbi rritjen e taksave universitare vjetore, u plagosën 12 policë dhe 43 manifestues. Më shumë se 30 persona u arrestuan. Ministri i Arsimit, David Uillets, mbrojti veprimet e forcave të rendit, por nuk e “shkarkoi” gjithë përgjegjësinë për dhunën mbi studentët: “Policia u gjend në vështirësi, duke qenë objekt sulmesh. Nuk ishim aty dhe ky nuk është rast për të kritikuar agjentët. Po zhvillohej një protestë paqësore ku mes studentëve që protestonin të qetë kishte edhe një grup të dhunshëm”. Sipas asaj që raportojnë gazetat britanike, përgjegjësi i policisë së kryeqytetit dhe ministrja e Punëve të Brendshme, Tereza Mej, kanë përfunduar në syrin e ciklonit, si për administrimin e protestës në përgjithësi ashtu edhe për incidentet e veçanta ku përfshihet edhe sulmi ndaj makinës “Rolls Royce” të princit të Uellsit. Gazetat shtronin pyetjen në faqen e parë se si është e mundur që policia, që njeh çdo lëvizje të familjes mbretërore, lejoi që makina e çiftit mbretëror të kalonte në atë zonë të Londrës ku po zhvilloheshin protesta të dhunshme. Fotoja e makinës së tyre e sulmuar nga protestuesit para syve të “pafuqishëm” të policisë, ka bërë xhiron e botës. “Frikë në sytë e Kamilës”, shkruan “Daily Mail”; “Një sulm i turpshëm” raporton “The Sun”. Ndaj kritikave ka replikuar edhe Kryeministri David Kamerun: “Nuk ishte faji i policisë. Faji është i atyre që sulmuan atë makinë”. Kreu i qeverisë siguroi se autorët e këtij sulmi do të përgjigjen deri në fund përpara ligjeve të vendit. Qeveria vazhdon të mbrojë me forcë rritjen e pagesave vjetore për arsimin universitar. “Në gjendjen aktuale ekonomike, ku përfshihet sakrifica e shumë njerëzve edhe studentët duhet të bëjnë pjesën e tyre”, tha zëvendëskryeministri Nik Kleg.