Ulet perdja e Lojërave Olimpike Dimërore të Pekinit 2022

Flaka, në një pishtar të vendosur në mes një kulle gjigante në formë fjolle dëbore, u shua gradualisht nën tingujt e këngëve të një kori fëmijësh. Kori kaloi nga kënga tematike e ‘’Pekin 2008″, “Unë dhe ti”, te ajo e “Pekin 2022”, “Fjolle e borës”, duke nxjerrë në pah arritjen historike të kryeqytetit kinez, si i pari qytet organizator i Lojërave Olimpike Verore dhe i Lojërave Olimpike Dimërore.
Presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON) Thomas Bach i deklaroi zyrtarisht të mbyllura Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022.
Pas më shumë se dy javësh konkurrimi në akull dhe borë, ekipi i Norvegjisë u rendit në krye të tabelës së medaljeve, duke fituar gjithsej 37 të tilla, përfshirë 16 medalje të arta. Gjermania doli e dyta me 27 medalje, 12 nga të cilat të arta. Kina, vendi organizator, fitoi nëntë medalje ari dhe 15 medalje gjithsej, duke arritur rezultatin e vet më të mirë deri më tani në olimpiadat dimërore.
Këto lojëra, me pjesëmarrjen më të gjerë të sportistëve në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore, arritën të kapërcejnë të gjitha sfidat, duke i paraqitur botës frymën e ngrohtë të bashkimit, që tani është pjesë përbërëse e
motos olimpike.
“Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 kanë ndryshuar “thelbësisht” sportet dimërore”, tha të dielën presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach, disa orë përpara ceremonisë së mbylljes së Lojërave.
“Ato do t’i lënë botës një trashëgimi të sporteve të reja globale dimëror”, tha Bach për Grupin Mediatik të Kinës.
Lojërat Olimpike Dimërore 2022 janë Lojërat Dimërore më të ndjekura ndonjëherë, tregojnë të dhënat nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.
Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022 gjithashtu arritën neutralitetin e karbonit për herë të parë [në historinë moderne olimpike, nëpërmjet masave të menaxhimit të lëshimit të ulët të karbonit, duke përfshirë përdorimin e energjisë me karbon të ulët, ndërtimin e objekteve me lëshim të ulët karboni, transportin me lëshim të ulët karboni dhe zyrat me karbon të ulët.
Në Kinë numri i adhuruesve të sporteve dimërore ka ardhur duke u rritur që kur Pekini fitoi në vitin 2015 të drejtën e organizimit të Lojëra ve Olimpike Dimërore 2022, me entuziazmin e madh të publikut falë edhe ambienteve në rritje të akullit dhe borës, veçanërisht gjatë Lojërave.