E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulja e moshes se votimit nga 18 ne 16 vjec Berisha Me kerkohet nga te rinjte

Partia Demokratike do t’i kërkojë zyrtarisht Partisë Socialiste që të diskutojnë mbi uljen e moshës nga 18 në 16 vjeç për të rinjtë për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. 
E kërkuar nga të rinjtë si një dëshirë për të qenë pjesë e përzgjedhjes së përfaqësuesve në Kuvend, ka detyruar kreun e mazhorancës që ta parashtrojë si një çështje diskutimi mes partive parlamentare.
“Zoti Patozi të drejtojë ftesë zyrtare zotit Ruçi. Nuk ka vështirësi teknike, sepse gjithçka e kemi automatike për listat e votimit, mjafton vullneti politik dhe në një kohë prej disa orësh prodhohen listat që përfshijnë gjithë 16 vjeçarët e vendit. Uroj që negociatat tuaja të ecin në frymën e duhur pa politizime dhe partitë të jenë të prirura në aktin që vetëm e fisnikëron procesin e votimit, edhe mbi 100 mijë qytetarë të ri i shtohen votimeve”, u shpreh Berisha. 

Pak më shumë se 3 muaj na ndajnë nga zgjedhjet, dhe kryetari i mazhorancës kërkon ndryshimin e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor.  E legjitimon edhe tradita.
“Pushka i jepej 16 vjeç, por tani nuk është më koha e pushkës, tani vota jepet 16 vjeç, edhe nusja jepej 16 vjeç”, u shpreh me nostalgji Kryeministri. Kreu i qeverisë kërkoi që debati që po zhvillohet në shtete të tjera, së fundmi dhe në Bitaninë e madhe të nisë dhe në Shqipëri.  Lista e votuesve do të shtohej me të paktën 100 mijë zgjedhës të rinj.
Na takon si komb i ri, -  tha Kryeministri, - kur solli në vëmendje se 12% e popullatës është mbi moshën 65 vjeç.

Më pas foli për reformat që qeveria ka sjellë në Kuvend këtë javë. Një ndër to ligji i urbanistikës. I shërbeu për të bërë një tjetër premtim për mandatin e ardhshëm
“Qeveria e mandatit të ardhshëm do të ketë Plan të Përgjithshëm Rregullator të të gjithë republikës, zotimi për urbanistikën e shekullit”, deklaroi Berisha. Kryeministri Berisha tha se reformat e ndërmarra dhe ato që do votohen prekin në mënyrë pozitive interesat e çdo qytetari. 
“Mendjen e keni pas çdo vote dhe aty duhet mbajtur, por konsiderojini ato si rëndësi jetike për katër vitet që vijnë”, nënvizoi shefi i mazhorancës.  

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›