E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulqini i mirëpret investitorët nga Kosova

Bashkëpunimi në mes Malit të Zi dhe Kosovës është me interes të dy vendeve, ndërsa shqiptarët e këtij vendi, do të jenë urë lidhëse që ky bashkëpunim të forcohet dhe vazhdohet edhe më tutje. Kështu ka deklaruar kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, pas takimit që kishte me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, e i cili ka ftuar publikisht qytetarët e Kosovës që të investojnë në Komunën e Ulqinit.

Cungu, që njëherësh është e kryetar i partisë, Forca e Re Demokratike, të Malit të Zi, ka falënderuar edhe kandidatin për kryetar të Prishtinës, Besnik Tahirin, për aktivitetet dhe seminaret, që sipas tij, i ka organizuar me qëllim ngritjen e bashkëpunimit rajonal për avancimin e qeverisjes lokale.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka siguruar se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Malit të Zi, do të vazhdojë, pasi që sipas tij, do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve të qytetarëve të dyja vendeve.

Sa i përket numrit të pushuesve në sezonin që sapo lamë pas, kryetari i Ulqinit, Nazif Cungu, është shprehur i kënaqur, duke thënë se çdo vit pushuesit në këtë vend po rriten, pasi që edhe kushtet në infrastrukturë janë përmirësuar. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›