E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unaza e Madhe, kërkohet tenderi për segmentin e dytë

12/10/2011   Mblidhet sot Këshilli Bashkiak, krahas taksave vendimi dhe për organikën e re të bashkisë

Basha: Projekti nga Shkolla Teknologjike te qendra “Kristal”, ndërhyje dhe te rrethrrotullimi i Doganës

Krahas vendimeve për uljen e taksave dhe tarifave vendore, si dhe krijimit të strukturës së re të Bashkisë së Tiranës, Këshilli Bashkiak në mbledhjen e sotme do të marrë në shqyrtim edhe vendimin për çeljen e procedurave në realizimin e tenderit për ndërtimin e segmentit të dytë të Unazës së Madhe. Në detajimin e bërë gjatë ditës së djeshme nga kryebashkiaku Lulzim Basha, mbi vendimet që do t’i paraqiten këshillit, është konfirmuar se do të diskutohet edhe për hapjen e tenderit për projektin teknik të një segmenti shumë të rëndësishëm të Unazës së Madhe, pikërisht nga Shkolla Teknologjike, te Qendra “Kristal”, ku do të lidhet aty me pjesën e Unazës së Madhe, që është në ndërtim e sipër. Ky projekt teknik do të hartohet tërësisht me burimet financiare të bashkisë, dhe pas kësaj do të kërkohet edhe partneriteti me Qeverinë dhe institucioneve e tjera financiare, për të nisur menjëherë punimet. “Jemi të bindur se investimi në këtë pjesë të Unazës së Madhe do të sjellë një përmirësim të jashtëzakonshëm të situatës së rënduar të trafikut në Tiranë.”

Struktura e re

Më tej, Basha ka paraqitur edhe organikën e re të bashkisë, që në total do të ketë rreth 417 punonjës sipas drejtorive përkatëse. Për herë të parë hyn në strukturë dhe Drejtoria e Turizmit, si dhe krijimi i drejtorisë e cila do të ndihmojë në thithjen e investimeve të huaja për kryeqytetin. Krijohet edhe Drejtoria e Përgjithshme e Investimeve Strategjike, që do kujdeset për disa nga projektet, siç janë shtrirja e aksit kryesor nga bulevardi verior i qytetit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i linjave të tramit, përfundimi në faza i Unazës së Madhe të qytetit të Tiranës dhe investime të tjera të një natyre strategjike për qytetin e Tiranës. Në total, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Zhvillimit në strukturat saj do ketë 57 punonjës, Drejtoria e Përgjithshme e Projekteve Strategjike dhe Investimeve të Huaja 21 nëpunës, Drejtoria e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit 95 nëpunës, Drejtoria e Planifikimit dhe Menaxhimit të Shërbimeve 75 nëpunës, Drejtoria e Shërbimeve Mbështetëse 88 nëpunës, Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit 17 nëpunës, ajo e Prokurimeve me 11 nëpunës, Auditi me 9, Planifikimi Strategjik me 13, Zyra për Barazinë Gjinore dhe zyra për Mbrojtjen nga Diskriminimi nga 1 nëpunës, Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun dhe ajo e Informacionit me 29 nëpunës.

Vendimi për 60 tarifat e taksat vendore

Vendimi tjetër ka të bëjë me uljen e 60 tarifave e taksave vendore. Ulja e tyre e kombinuar me zbatimin në Tiranë, të sportelit të vetëm për licencat dhe për lejet, në bashkëpunim me BB, janë dy nga premtimet sa i përket krijimit të vendeve të punës dhe stimulimit të rritjes ekonomike, nëpërmjet krijimit të hapësirave për biznesin e vogël, të mesëm, VIP, kompanitë ekzistuese dhe ato që duan të investojnë në Tiranë, duke shmangur çdo burokraci.

Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit

Në mbledhje do kalojë dhe vendimi për krijimin e kësaj agjencie, e cila ka si detyrë mbrojtjen e interesave të konsumatorit, nëpërmjet investigimit, hulumtimit, ballafaqimit dhe penalizimit të atyre që duke shkelur rregullat e tregut të lirë manipulojnë, spekulojnë me cilësinë, çmimet, me reklamimin e rremë, duke imponuar një kosto ndaj qytetarëve të Tiranës dhe konsumatorëve në tërësi, ndaj së cilës bashkia nuk mund dhe nuk do të mbyllë më sytë.

Futboll Klub “Tirana” kthehet

në shoqëri aksionere

Do të kalohet dhe vendimi për kthimin e Futboll-Klub “Tiranës” në një shoqëri aksionere, e cila do të hapë rrugën për një fuqizim të kësaj organizate, për të gjithë kryeqytetasit e në veçanti për tifozët e saj. Por, në kuptim afatgjatë, do të ulë shpenzimet e taksapaguesve të qytetarëve e do të vërë në efiçencë të plotë asetet e këtij klubi, duke mundësuar financime më të mira, sigurisht duke kërkuar një performancë më të mirë të klubit në të ardhmen.

Tituj nderi për Eliza Dushkun

e kryeministrin e Kuvajtit

Vendimet për Pjesë e procedurës që do të kalojnë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak janë edhe dy vendime që kanë të bëjnë me propozimin për të bërë qytetar nderi Kryeministrin e Kuvajtit, i cili ka financuar rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, si dhe Eliza Dushkun, aktoren e njohur shqiptaro-amerikane, që të dy miq të Shqipërisë, që kanë dhënë kontributin e tyre në forma të ndryshme për zhvillimin e kryeqytetit shqiptar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›