E Shtunë, 31 Tetor 2026

''Unë, Mirandolina që i vë burrat përpara"

Ka braktisur koncertet e fushatës, edhe pse do t’ia ngrohnin mirë xhepin, por para teatrit, ajo thotë se nuk vë asgjë.  Rozana Radi, të cilën e njohim më shumë si këngëtare, ka vendosur t’i largohet zhurmës parazgjedhore për të luajtur Mirandolinën. Ajo do të jetë e zonja e bujtinës, që i sjell të gjithë meshkujt vërdallë e në fund merr atë që i do zemra.

Duke filluar që nesër, në skenën e Teatrit Kombëtar të Komedisë ne Tirane do të ngjitet komedia “Mirandolina” e Carlo Goldonit, me regji të Donard Hasanit (as.regjisor Qëndrim Rijani), skenografi e kostume të Erald Bakallit.

Rozi, e cila kthehet pas një mungese të gjatë në teatër, ka sqaruar pse kjo kthesë nga skena e këngës tek ajo e teatrit:
"Ndërsa po përpiqesha të shkëputesha nga koncertet, nga zhurma e diskotekave, nga kjo “estrada” e Shqipërisë, më erdhi propozimi për një pjesë teatri. Donardi më propozoi rolin e Mirandolinës. Unë e njihja këtë vepër, por për fat të keq dhe të mirë njëkohësisht, nuk e kisha parë asnjëherë në Tiranë. Hyra në Youtube dhe fillova të kërkoja të gjitha Mirandolinat e vëna nëpër botë dhe pashë që kishte larmi të jashtëzakonshme të mënyrave se si është vënë në skenë “Mirandolina”. Një nga më të fundit ishte vënë në Itali dhe në rolin e Mirandolinës e luante Nensi Brilli. Ishte një koncept tërësisht modern, i sjellë në kohë, ndërsa Nardi e sjell atë në variantin klasik, ashtu si edhe ka sjellë Goldoni."

Veç Rozana Radit në rolin e Mirandolinës, interpretojnë edhe Mehmet Xhelili e Alfred Trebicka, të cilët i kemi parë më shumë në rolin e regjisorit. U bashkohet në skenë edhe aktori Kastriot Ramollari dhe të rinjtë Laura Nezha, Delinda Zhupa e Marsel Greva. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›