Unë bëra ligjin, Ministria e Mbrojtjes kishte detyrë ta zbatonte
Më 15 mars, Shqipëria përjetoi në Vorë një katastrofë të tmerrshme, realisht të tmerrshme, të shoqëruar me plagosje, me humbje të konsiderueshme në jetë njerëzish, plagosjen e qindra qytetarëve të kësaj bashkie, dëme të shumta dhjetëra e dhjetëra milionë euro. Kjo katastrofë nuk erdhi nga shkaqe natyrore, por erdhi nga shkaqe të mirëfillta njerëzore, çka e bën peshën e saj edhe më të rëndë. Një eksplozion me një fuqi më të madhe pas eksplozioneve bërthamore që ndodhi në ish-repartin e tankeve në Gërdec, krijoi një katastrofë të madhe, rrënime të mëdha materiale. Zona shëmbëllen me një zonë të bombardimeve të thella në luftë. Ky lajm i kobshëm me gjeti mua në një takim politik, të cilin natyrisht e ndërpreva. Informatat e para ishin të rënda, por prapë të pjesshme. I kam kërkuar menjëherë ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Mbrojtjes të nisen në vendngjarje. Në përputhje me ligjet e vendit kam marrë në dorë menaxhimin e krizës, përmasat e së cilës çdo moment rezultonin të ishin më të mëdha. I kam kërkuar Ndokës të mobilizojë të gjithë personelin shëndetësor të Spitalit Ushtarak, QSUT, spitalit të Durrësit etj. Ministrisë së Mbrojtjes, asaj të Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë i kam kërkuar të mobilizojnë të gjithë potencialin e tyre me helikopter, pasi autostrada ishte e bllokuar. U mobilizuan 10 helikopterë, 6 të Mbrojtjes, 4 të tjerë të dy ministrive të tjera. Me shpejtësi janë thirrur në punë punonjësit e qendrave shëndetësore, janë nisur drejt vendngjarjes me dhjetëra-qindra automjete transporti. Forcat e ushtrisë kanë dërguar njësitë më të përgatitura me 1 mijë trupa. Forcat e Rendit kanë dërguar mbi 500 trupa të ndërhyrjes së shpejtë, rendit, RENEA-s nga Tirana dhe zonat përrreth. Në vendngjarje kanë shkuar Mediu, Nishani, Gjana, Olldashi, deputeti Patozi, deputetë të opozitës për të ndjekur situatën. Është ndërmarrë me përpjekjet më të mëdha, por edhe rrezikshmërinë më të lartë, sepse gjylet fluturonin në Marqinetë, Gërdec dhe fshatrat përreth. Flakët vazhdonin të digjnin zonën, ku ishte vendosur fabrika e vdekjes. Kam ndjekur çdo minutë situatën. Ka pasur një operacion kërkim-shpëtimi të përmasave që vendi rrallë mund ta ketë përjetuar. Janë transportuar në drejtim të spitaleve të Tiranës, ai Ushtarak, QSUT, Durrës dhe Krujë në total rreth 247 të plagosur, nga këta të paktën 15 të plagosur rëndë ose me djegie të forta. Ishte një qartësi. Megjithatë, trupat e ushtrisë, RENEA, por edhe ministra, apo deputeti Babasi kanë ecur me kurajë drejt zonës së shpërthimit, sepse në atë zonë kishte të plagosur dhe të vdekur. Kanë tërhequr disa të plagosur vetëm 10-15 m nga zona e kraterit. Janë angazhuar në një kërkim-shpëtim përreth, pasi të shumtë ishin ata nga fshati, të cilët, të shtyrë nga vala goditëse ose duke përfituar nga koha mes dy eksplozioneve, kishin marrë kodrat, kishin hyrë në një tunel që ishte aty për të shpëtuar jetën e tyre. Është punuar deri natën vonë, ndonëse predhat dhe eksplozivët vazhdonin. Një angazhim total është bërë për të plagosurit. Falë një solidariteti të qeverisë italiane dhe greke, janë nisur atë natë për në Selanik dhe për në Bari të plagosurit më të rëndë. Është përpjekur të bëhet apeli, pasi një nga punonjësit e firmës solli në shtabin e emergjencës listën e punonjësve dhe ata ishin 122 punonjës. Mbi bazën e asaj liste, u kërkua që me shpejtësi të bëhej verifikimi. U bë një verifikim, i cili s’më besohej se ishte i saktë. Gjatë këtyre momenteve kritike kemi bërë çdo përpjekje për të informuar në mënyrën më transparente qytetarët mbi këtë zhvillim tejet dramatik. I kemi dhënë mediave me dhjetëra e dhjetëra komunikata. Ato kanë bërë një punë të shkëlqyer, kanë raportuar nga zonat ku binin predhat, kanë treguar interes dhe përkushtim maksimal dhe profesional. Janë bërë përkujdesje që të tregohet vëmendja më e madhe ndaj të sëmurëve. Janë vënë në disponibilitet dy konvaleshenca, e Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Mbrojtjes, që të strehoheshin, të mobilizoheshin ekipe psikologësh, për të shëruar traumat.
Janë gjetur të plagosur dhe viktima. Është marrë me shpejtësi një proces vlerësimi dëmi, i cili paraprakisht ishte 2 200 shtëpi, nga të cilat, 318 të shkatërruara tërësisht, 185 të dëmtuara rëndë, 170 të dëmtuara mesatarisht dhe 1600 me dëmtime të lehta. Ky ishte vlerësimi i parë, kishte kafshë të vrava, problemi ishin njerëzit. Vendi ishte i mbushur me predha. Repartet e ushtrisë, të specializuara për largimin e tyre, kanë qenë 500 trupa, për të filluar zbulimin e predhave, të cilat njësitë e tjera do vinin t’i eksplodonin. Është bërë kujdes që banorët të mos binin në një rrezik të ri. Qeveria, duke ndjekur krizën, katërfishoi krahasuar me ditën e parë ekipet e vlerësimit. Në rast se ditën e parë u vlerësuan rreth 410 banesa dhe objekte të tjera dhe biznese, ditën e dytë janë vlerësuar me një saktësi të madhe 1300 banesa të tjera. Vlerësime këto të bazuara nga të zotët e shtëpive.
Sot, (dje), vazhdon vlerësimi i pjesës së mbetur. Qeveria vendosi të ndërmarrë të gjitha masat për të lehtësuar familjet në dhimbjen e tyre të madhe, për të lehtësuar të plagosurit. Akordoi për çdo viktimë 2 milionë lekë të reja, për secilin prej tyre të lidhë pension, si ata që bien në detyrë. Ka vendosur të financojë ngritjen e plotë të të gjitha banesave dhe biznesve të rrënuara, ka vendosur të përballojë të gjitha dëmtimet e banesave të tjera, ka vendosur të ngrejë një infrastrukturë të re në të gjitha fshatrat dhe zonën e dëmtuar, për rindërtimin e shkollave, kopshteve, infrastrukturës sociale. Qeveria vendosi që për të gjitha familjet që nuk strehohen dot në shtëpitë e tyre, të akordojë një vlerë prej 500 mijë lekësh për çdo njeri. Sikundër janë marrë të gjitha masat për ushqim, veshje, shkollë e atyre që janë në konvaleshencat e Durrësit. Masa për të shpërndarë ushqime për ata që nuk largohen nga banesat e tyre.
Gjatë këtyre ditëve, jam përpjekur të takoj sa më shumë nga këta qytetarë që pësuan këtë dramë të madhe. Kam konstatuar një fisnikëri të madhe tek ata. Kam vizituar një pjesë të madhe të familjeve të viktimave. Kanë kërkuar garanci të plotë për dy gjëra, evidentimin dhe kompensimin e dëmeve. Iu kam premtuar se kjo do të bëhet me vendosmëri të plotë dhe pa asnjë shmangie. Kanë kërkuar që ky zhdëmtim të bëhet me cash në dorë, më është dukur mënyra më e mirë. Sot, shoqata e ndërtuesve ka deklaruar se është e gatshme të ndërtojë vetëm me koston e ndërtimit. Ne paratë do t’ia japim të zotit të shtëpisë dhe ata të vendosin. Është dëshmuar një solidaritet i jashtëzakonshmë kombëtar dhe ndërkombëtar, për të cilin unë duhet të shpreh mirënjohjen më të thellë. Janë hapur llogari bankare, janë ofruar ndihma, janë realizuar dhe po instalohen skemat për të plotësuar tërësisht zotimin publik të kësaj qeverie, i cili është edhe vullneti i tyre. Unë po vij nga familja Deliu, e cila ka humbur tre anëtarë. Cfarë më tha? “Ku do vendos kokën?”, - më tha. “A janë të vërteta këto për shtëpinë?” E garantova se do jenë të gjitha të vërteta. Qeveria do mbajë çdo premtim. Më kanë garantuar se kanë besim të plotë te qeveria dhe ne do t’i qëndrojmë një për një zotimeve.
Ruani gjakftohtësinë. Familjarët kanë kërkuar në unison nxjerrjen e të gjitha përgjegjësive ligjore dhe unë iu kam premtuar se çfarë të ketë në dorë kjo qeveri, do të bëjë që të nxjerrë përgjegjësinë e gjithsecilit.
Tani, unë dua t’i përgjigjem apelit të kryetarit tuaj, i cili sot kërkon që kryeministri të japë dorëheqjen, sepse ka bërë tri mashtrime.
Ka deklaruar se kam gënjyer, kur kam thënë se Ministria e Mbrojtjes kishte për detyrë vetëm transportin. Kryeministri ka bërë çdo orë transparencën. Kam deklaruar ato që më janë raportuar. Kam deklaruar se kjo është marrëdhënie kontraktuale, në të cilën ministria ka vetëm detyrën e transportit. Ministria zotohej të transportonte municionin. Në qoftë se gjeni ndonjë detyrim tjetër, atëherë ky ka qenë raportim i pasaktë.
Kam deklaruar se në listën e dorëzuar nga autoritetet e kompanisë nuk figurojnë fëmijë, por kam deklaruar mbrapa se nuk përjashtoj punën në të zezë. Asnjë mashtrim dhe asgjë. Merrni listën që kanë dorëzuar. Më kanë thënë se nuk ka fëmijë.
Sot, kryetari juaj u shpreh, citoj: “S’ka pasur dijeni për këtë punë. Është trillim!”
Unë deklaroj këtu para parlamentit, para çdo shqiptari, se nuk kam pasur asnjë dijeni për poligonin e Gërdecit, sepse ligjet që ju keni bërë vetë përjashtojnë kryeministrin për vendndodhjen, dislokimin e reparteve ushtarake. Ju nuk pyesni kryeministrat tuaj. Kryeministri di vetëm repartin që viziton, sepse kryeministri nuk ka asnjë tagër as për vendndodhjen, as për zhvendosjen e reparteve ushtarake. Ligjet e vendit dislokimin e Forcave të Armatosura ia japin ministrit, shefit të shtabit dhe presidentit. Unë s’mund të marr asnjë vendim për asnjë vendndodhje, asnjë dislokim, nëse s’ka një vendim për t’i nxjerrë nga plani i shpalosjes së forcave.
Për herë të parë në jetën time kam dëgjuar emrin Gërdec, më 15 mars, pas orës 12, ditën e katastrofës. Në këtë ligj, ju keni të rreshtuara kompetencat e Këshillit të Ministrave.
Ligji juaj thotë se KM nxjerr vendime për trajtimin ndaj tyre. Në përputhje me këtë kërkesë më thonë se nuk ekziston ky vendim. Më thonë, se ekziston një Kod Etike i BE për trajtimin e municionit, por jo vendim si do trajtohen municionet. Vazhdimisht bëj pyetje që të mos bëjë dopio vendime. Vendimin në fjalë e ka sjellë Ministria e Mbrojtjes, i cili hartohet nga ushtarakë, ka specifika, kondicione, rregullore. Unë, për të bërë vendin me bazë ligjore, kam miratuar këtë vendim në datën 14.3.2007. Me këtë vendim kam hapur shteg edhe me outsorce, është praktikë e përdorur nga të gjitha vendet dhe rëndon më pak mbi shpatullat e taksapaguesve. Vendimi përcakton të gjitha detyrimet, ndaj dhe vendimin nuk është nevoja ta lexoj këtu, por s’mund të pranoj të trillohet përmbajtja e vendimit. Vendimi është detyrim i qeverisë dhe qeverive të mëparshme në zbatim të ligjit të Forcave të Armatosura.
Nuk kam ditur se ekziston Gërdeci. Para shumë muajsh shkruajnë se ka kërcënim që andej. Pyes dhe më thonë se janë demontim fishekësh në një distancë 8-10 km nga rruga. Tani, ju do të doni që unë të kisha caktuar Gërdecin për bazë, të kisha caktuar firmën, ja që ka një proces hetimi të plotë nga prokuroria. Unë pranoj çdo formë hetimi nga cilido në qoftë, nëse fakton dot të kundërtën e kësaj. S’mund të faktoni. I them kryetarit tuaj, në këto momente të ishte në dinjitetin e tij si kryetar i kryeqytetit që të mobilizonte ndihma për bashkinë fqinje, t’i bënte thirrje biznesit të Tiranës të ndihmojë Vorën dhe fshatrat përreth. Unë jam këtu për të marrë çdo përgjegjësi që më takon, por ta harrojë kush, se mund të më ngarkojë dot mua ato që s’mi atribuon ligji. Kam kërkuar ndryshimet e ligjit, sepse qeveria është duarkryqe. Katër muaj më parë, kam thirrur një kompani amerikane, i them se kjo ushtri ka një problem madhor, ka pronat. A mund të na bënin një masterplan për një ushtri me 14-15 mijë vetë? Më thanë që po, por donte disa muaj. Kisha informuar presidentin. Presidenti s’ka pasur asnjë dijeni se reparti i tankeve është shndërruar në poligon. A duhet informuar apo jo, këtë e dinë të tjerët.
Më thanë se këto depo që i kishin vizituar një nga një janë një rrezik serioz për vendin. “Duhet të bëni çdo përpjekje që brenda 2010 të ndaheni nga ky rrezik. Nuk ju nevojiten kaq shumë depo.” Thanë ose diegie e hapur, ose eksplodim. Ky material do i shkojë presidentit, i cili do e trajtojë me seriozitet. Këto janë të vërtetat. Fatmirësisht, sot, para ligjit janë vendosur përgjegjësit kryesorë të sipërmarrjeve. E ftoj prokuroren të hetojë në çdo drejtim dhe te gjithsecili. Kjo është e para fatkeqësi që ka nisur një hetim të fuqishëm, sepse nuk janë prokurorë të kapur, politikë, por ka një prokurori, e cila do të zbardhë ngjarjen. Ju ftoj të krijoni që nga ky koment komision për të bërë çdo hetim, pa asnjë lloj kufizimi. Kjo është ftesa ime. Prandaj jam i rezervuar, për të mos bërë prokurorin, sepse tani kemi prokuror fatmirësisht. Nëse mendoni ndryshe, kërkoni komision. Kjo e vërtetë do të dalë, askush s’duhet të ketë frikë njeri.