Fenomeni ‘Mediu’, si municion i paplasur
Biografia politike e Fatmir Mediut do të jetë tashmë një mbetje e rrezikshme për fatin e Partisë Republikane. Diferenca mes profilit të themeluesit të saj, Sabri Godo dhe Mediut ishte e madhe, por e pranueshme për shkak të shanseve që këtij të fundit ia jepte mosha. Tashmë, me çmimin e lartë që po paguan kjo shumicë për shkak të mendjelehtësisë dhe aferave të tij korruptive, problemi serioz politik mbetet përse vlen Partia Republikane. Duke qenë se kryetari i saj në detyrë, Fatmir Mediu, po del nga qeveria me një barrë të rëndë jo vetëm për atë parti, por për gjithë qeverinë, ai nuk mund të jetë më një aktor politik në Shqipëri. Faktet që dalin nga ora në orë dëshmojnë implikimin e tij me vetëdije në një aferë korruptive që ndëshkoi Shqipërinë dhe dhjetëra jetë njerëzish. Në çdo kohë që ai do të tentojë të jetë aktor politik, shqiptarëve do t’iu kujtohet tymi i Gërdecit dhe kufomat e tij të gjymtuara. Në gjendjen banale që është sot, ajo parti nuk ka asnjë emër apo profil politik me standard normal që mund të përfshihet në qeveri, edhe pse qeveria nuk ka më ndonjë standard të fiksuar për vlerat e ministrave. Por, gjithsesi, problemi mbetet brenda republikanëve. Ata vetë duhet të marrin tashmë një vendim për të ardhmen e tyre politike. Me Fatmir Mediun natyrisht që ata nuk kanë ndonjë të ardhme. Dhe, nëse ai arrin t’i shpëtojë ndëshkimit penal, nuk mund t’i shpëtojë më kurrë ndëshkimit popullor me votë kundër tij. Në këto kushte, ajo parti ose duhet të zgjedhë një lider të ri, ose duhet të rikthejë qoftë dhe përkohësisht në krye të saj themeluesin dhe kryetarin e nderit të asaj partie, Sabri Godo, me qëllim që të justifikojë qëndrimin e saj moral në qeveri. Duke u përpjekur të largohet si viktimë dhe jo si përgjegjës, Fatmir Mediu në të vërtetë ka rrezikuar seriozisht që stuhia politike të përplaset në zyrën e kryeministrit Berisha, i cili, krejt pa asnjë shkak, i doli për dy ditë në krah, duke shtuar përgjegjësinë kolektive për tragjedinë. Rrëfimi publik i Fatmir Mediut është po ashtu një shfaqje e pështirë e teatralitetit të tij, e cektësisë dhe vjetërsisë politike. Ai mendon se po largohet si i viktimizuar nga jetët e humbura për faj të tij. Më tej akoma, me një gjuhë të viteve ’60, që i përket kohës së Traktatit të Varshavës, ai flet për “gazetarë që nuk i duan të mirën Shqipërisë”, pse thonë që Fatmir Mediu është trafikant armësh. Dhe këtë e thotë një njeri, i cili nuk ka fuqi të shkëputet nga e kaluara e tij dhe është peng i njerëzve të inkriminuar, me të cilët ndan histori kriminale.
Më tej akoma, Fatmir Mediu është dhe një problem politik për memorien politike të kësaj shumice dhe Sali Berishës. Sali Berisha ka dalë në konferenca për shtyp gjatë kohës që ka qenë në opozitë dhe ka akuzuar me fakte që i dinte ai, se Delijorgji ishte një pagator i eksponentëve socialistë dhe se kishte bërë një tanxhente me rreth 2 milionë dollarë për një ish-ministër të asaj kohe. Dhe si për ta na e kujtuar të gjithëve këtë skenë, dje doli Pandeli Majko dhe lavdëroi të shkuarën e tij. Retorika politike e Sali Berishës kundër tij shkoi deri te fakti, se ai mund të ketë sjellë armë nga Greqia në vitin 1997 për ta përmbysur atë nga pushteti. Shumë nga këto mund të jenë ekzagjerime, por janë thënë. Tashmë, për mijëra shqiptarë që besojnë “Një” Sali Berishë, është e pakuptimtë sesi ky biznesmen të ketë krijuar gati monopol në Ministrinë e Mbrojtjes dhe ka detyruar, natyrisht jo për bamirësi, por për lekë, zyrtarët më të lartë të ushtrisë shqiptare të hedhin firmat, ku do ai. Vetëm një muaj më parë, në redaksinë e gazetës “TemA” disa punonjës tatimorë qëndruan nga ora dhjetë paradite deri më 12 të natës që të verifikonin gjithë gazetarët që punonin aty, të cilët nuk financohen nga shteti, kurse ky biznesmen paska punësuar 400 vetë në të zezë dhe dy të siguruar dhe nuk e paska kontrolluar njeri. Ky privilegjim i qartë i tij ngre pikëpyetje jo tashmë për moralin antikorrupsion të kësaj qeverie, se ai ka vdekur, por për përgjegjësitë ligjore të saj ndaj evazionit fiskal dhe trafiqeve. Nëse këtë gjë e ka ditur vetëm Fatmir Mediu dhe jo Sali Berisha, kjo duhet shpjeguar. Për t’u distancuar qartë nga kjo, shumica në pushtet duhet të distancohet nga fenomeni ‘Mediu’ në politikë. Dhe ky distancim rihap seriozisht problemin e lidershipit të Partisë Republikane, nëse ajo do të vazhdojë të konsiderohet aleate me qeverinë. Sabri Godo është tashmë në ditët kur duhet të marrë përgjegjësi për municionin e paplasur që i ka lënë politikës shqiptare, që quhet Fatmir Mediu. Ai duhet çmontuar, natyrisht me kujdes, sa të mos hedhë në erë gjithë qeverinë.