Ceka: Kam mbledhur firmat për komision hetimor
Kryeministri Berisha u shpreh i gatshëm për të pranuar ngritjen e komisionitTIRANË- Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka deklaroi dje se ka mbledhur firmat për ngritjen e një komisioni hetimor për tragjedinë që ndodhi në fshatin Gërdec në afërsi të Vorës, ku në datë 15 mars shpërthyen municionet në një fabrikë demontimi. Pas debateve të shumta të zhvilluara mes deputetëve të opozitës dhe Kryeministrit Berisha lidhur me ngjarjen e Gërdecit, kur ky i fundit ripërsëriti disa herë kërkesën që opozita të ngrejë një komision hetimor të posaçëm, Ceka në diskutimin e tij njoftoi se ai i kishte mbledhur firmat për ngritjen e komisionit. “Kam mbledhur firmat për komisionin që propozuat. Të shohim do e miratoni apo jo. Berisha para se te vinte ne pushtet akuzoi Nanon për korrupsion.Por, ai nuk bëri gjë tjetër kur erdhi në pushtet përveç ndjekjes së linjës së vjetër të qeverisjes korruptive të Nanos”, është shprehur Ceka. Në përgjigje të këtij diskutimi, Kryeministri Berisha shprehu përgëzimet e tij për këtë nismë të Neritan Cekës dhe deklaroi se ai do të votojë pro ngritjes së komisionit hetimor. “Për hir të këtij parlamenti e vlerësoj komisionin dhe në mënyrë absolute e quaj edhe të domosdoshëm, dhe pse unë kam besim të plotë te prokuroria, se komisioni duke bërë një analizë dhe një hetim, ndoshta do të arrijë në një reformë”, është shprehur kryeministri Berisha.