E Shtunë, 31 Tetor 2026

Unë e di ku janë dosjet

Një nga deputetët më të vjetër të Kuvendit, Tritan Shehu, ish-zëvendëskryeministër deri në vitin 1997, thotë se dosjet janë ruajtur deri në këtë periudhë kohore, kur ai veç këtij funksioni, ishte edhe kryetar i PD-së dhe ministër i Jashtëm. Sipas Shehut, ka shumë mënyra për të gjendur se ku janë sot dosjet dhe sesi mund të hapen ato.

Sot deputet i Partisë Demokrate të Re, ndryshe “reformatore”, Shehu thotë se tashmë nuk ka asnjë element ligjor që të pengojë hapjen e dosjeve. Sipas tij, dosjet duhet të bëhen publike, në mënyrë që edhe qytetarët të mund të njihen me to. Megjithatë, Shehu thotë se një ndër çështjet më problematike është edhe ndarja e disa elementeve të veçantë tek bashkëpunëtorët. “Nuk kanë pasur bashkëpunëtorët e sigurimit të gjithë të njëjtën peshë. Ka bashkëpunëtorë që kanë dosje të bardha dhe që nuk kanë bërë denoncime, ka bashkëpunëtorë që kanë qenë vullnetarë e që i kanë mbushur dosjet, ka pastaj të tjerë që kanë bërë krime, ka edhe bashkëpunëtorë që kanë qenë në gjykatë e që kanë dhënë vendime me vdekje. Ka shumë elemente që duhen parë në këtë këndvështrim”, thotë nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu për “Korrierin”. I pyetur nëse dosjet kanë ekzistuar deri në vitin 1996, kohë në të cilën ai mbante të tri detyrat e larta shtetërore dhe partiake, Shehu thotë se deri në atë vit dosjet kanë qenë të ruajtura dhe ekzistonin. “Deri në periudhën që kemi qenë ne, dosjet janë ruajtur, edhe pse deri në 1997 kemi pasur ligjin që është aplikuar. Pas vitit 1997 ndodhi ajo që ndodhi. Unë mendoj se ato janë. Gjurmët nuk zhduken. Ose i  ke në regjistrat qendrorë, ose në regjistrat lokalë. Por gjithashtu mund të kesh kartelat, ose dosjet e atyre që janë denoncuar. Absolutisht që ato mund të gjenden, nuk mund të evitohen”, thotë Shehu. Ndërkohë, Shehu thotë se edhe pas trazirave të vitit 1997 dosjet sërish nuk janë zhdukur. “Mesa di unë, nuk janë zhdukur dhe nuk mund të zhduken. Në një nga regjistrat, në një nga kartelat, në një nga dosjet, diku është lënë gjurma që nuk zhduket kurrë”, thotë Shehu. Ndërkohë, i pyetur nëse është lojë politike kërkesa e mazhorancës për të hapur dosjet, tani që jemi një vit para zgjedhjeve, reformatori Shehu thotë se edhe pastrimi është pjesë e politikës. Ai shton se nuk ka rëndësi koha në të cilën po hapen dosjet, por rëndësi ka që të ketë transparencë për qytetarët për çështjen e ish-Sigurimit të Shtetit. Tashmë, debati për dosjet ka përfshirë politikën, ish-zyrtarët e Shërbimeve Sekrete, por edhe shtresën e të përndjekurve. Një pjesë e politikës deklaron se dosjet ekzistojnë dhe ato mund të hapen. Ndërkohë, pala tjetër, kryesisht ish-zyrtarë të shërbimit sekret shqiptar, shprehen se dosjet janë zhdukur, djegur dhe përvetësuar nga vetë politikanët që kanë dosje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›