Topi propozon gjyqtarin që dënoi Ramiz Alinë

Presidenti i Republikës, Bamir Topi propozoi për anëtar të Gjykatës së Lartë, avokatin në detyrë prej 10 vjetësh, Andi Çeliku, i cili ishte kryetar i Trupit Gjykues që dënoi me nga 3 deri 9 vjet heqje lirie, 9 ish-zyrtarë të lartë të regjimit njëpartiak në korrik 1994. Gjyqi i atëhershëm u shqiptoi dënimin ish-zyrtarëve të lartë për shpërdorim pushteti. Presidenti e përfshiu avokatin Çeliku në 6 emrat e tjerë të propozuar Evelina Qirjako, Ariana Fullani, Guxim Zenelaj, Aleksandër Muskaj dhe Majlinda Andrea. Gjyqtarja Qirjako ishte gjatë procesit të birësimit të djalit të bashkëshortes së ish-kryeministrit Fatos Nano, Xhoana Nano. Qirjako ka qenë avokate në disa procese të tjerë të familjes Nano, përfshi kundër Nikollë Lesit për shpifje. Por Qirjako ka qenë avokate mbrojtëse edhe e të dyshuarit për financim të terrorizmit, Jasin Kadi.
Të gjashtë gjyqtarët e dekretuar prej presidentit do t’i nënshtrohen “marrjes së pëlqimit” nga Kuvendi për t’u bërë anëtarë të Gjykatës së Lartë. Gjyqtarët Qirjako, Fullani, Zenelaj, Muskaj, Andrea dhe Çeliku u përzgjodhën nga Topi përzgjedhur mes 105 kandidatëve që kishin dorëzuar aplikimet në presidencë. Përzgjedhja e këtyre emrave mësohet se është bërë nga presidenti pas “filtrimit” të ekspertëve të tij. Të kontaktuar nga “Korrieri” përpara se të publikohej dekretimi i emrave, dy ekspertët e përzgjedhur nga presidenti për përzgjedhjen e kritereve, Rustem Gjata dhe Manjola Bejleri, thanë se puna e tyre kishte mbaruar në momentin e përcaktimit të kritereve. Në këtë mënyrë, ato hodhën poshtë diskutimin për emrat e veçantë të gjyqtarëve që kishin aplikuar, duke ia lënë këtë kompetencë presidentit dhe stafit të tij. “Ne si ekspertë jemi marrë vetëm me përcaktimin e kritereve me të cilët do të përzgjidheshin gjyqtarët që mund të ishin kandidatë”, thotë juristi i njohur, Rustem Gjata, që ishte pjesë e ekspertëve të përzgjedhur nga presidenti. Në të njëjtën linjë është edhe ekspertja tjetër e përzgjedhur nga presidenti, Manjola Bejleri. “Me përcaktimin e kritereve përfundoi puna jonë. Për më tej, është presidenti ai që bën përzgjedhjen”, thotë Bejleri, duke mohuar që të ketë pasur dijeni për ndonjë nga emrat e gjyqtarëve që mund të ishin përzgjedhur nga presidenti. Dekretimi i 6 emrave të rinj të gjyqtarëve erdhi pas rrëzimit të 5 gjyqtarëve të parë të propozuar nga presidenti për Gjykatën e Lartë. Mazhoranca e kundërshtoi edhe me votë veprimin e presidentit, i cili nuk ishte konsultuar me të para se të dekretonte emrat. Ndërkohë, pasi u rrëzuan 5 emrat e parë, presidenti e cilësoi këtë si një “ekzekutim politik”, ndërsa ngriti një grup pune të përbërë nga juristë të shquar, të cilët do të përcaktonin kriteret. Pak ditë pas nisjes së diskutimeve për gjyqtarët e rinj, presidenti u bëri thirrje partive politike që të sugjeronin disa kritere mbi bazën e të cilëve mund të përzgjidheshin gjyqtarët që do të ishin kandidatë për Gjykatën e Lartë. Mazhoranca dërgoi 4 kritere, nga të cilat 3 u rrëzuan. Një nga kriteret më të rëndësishme, të cilin presidenti nuk e pranoi, ishte edhe ai që kandidatët të mos kishin marrë pjesë në procese politike, që kishte të bënte me gjyqtarët që kishin dhënë vendime gjatë kohës së komunizmit. Pak pasi ishin rrëzuar kriteret e PD-së, kryeparlamentarja Jozefina Topalli nxiti nëpërmjet një letre Komisionin e Ligjeve që të hartonte ligjin mbi pastërtinë e figurës së zyrtarit, e cila do të sillte hapjen e dosjeve për të gjithë ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Pjesë e këtij procesi të iniciuar nga Topalli bëhen automatikisht edhe kandidatët për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Ndërkohë, për çështjen e gjyqtarëve, në seancën e dy netëve më parë u ndryshua edhe neni 111, i cili i mundëson Kuvendit shqyrtimin e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Sipas ndryshimit, kryeparlamentarja Topalli ka të drejtë që, në rast se vërehet ndonjë parregullsi tek ndonjëri nga kandidatët, t’ia referojë atë presidentit, i cili më pas do të vendosë nëse do ta tërheqë kandidaturën ose jo.