E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çon kirurgun me 600 mijë USD pasuri në qeli

Profesor doktor Kastriot Dautaj, mjek urolog, u arrestua, pasi dyshohet se është i korruptuar. I gjenden 500 mijë lekë të vjetra pas një operacioni. Hetimi disamujor dhe kopsitja me foto, përgjime e denoncime

TIRANË - Pakkush do të mund të dyshonte në duart e arta të profesor doktor Kastriot Dautajt, kirurgut urolog, nëse disa vjet më parë nuk do t’i kishte hequr gabimisht një veshkë një pacienteje... në vend të gurëve në veshka, diagnoza për të cilën ajo hyri në sallën e operacionit. E me siguri që pakkush deri më dje rreth mesditës, do të guxonte ta akuzonte se ai ishte i korruptuar, por policia e prokuroria pas disa muajsh hetime ashtu dyshojnë, sidomos pas zbulimit të llogarisë bankare me më shumë se gjysmë milioni dollarë “kursime”. Pikërisht “humbja” e veshkës së Zyhra Agos nga Laçi, u bë shkak që disa muaj më parë të hapet një hetim për pedagogun e fakultetit të Mjekësisë. Nuk mjafton vetëm kjo, por mesditën e djeshme Dautaj u kap dhe flagrancë duke marrë rreth 500 mijë lekë të vjetra nga Ibrahim Ismaili, babai i Liljana Ismaili (Hoxha), pacientes së fundit që kaloi në duart e profesorit 66-vjeçar. Dhe kjo ishte “qershia mbi tortë” për profesorin, i cili dje pati ditën e parë që ndryshoi rutinën e tij dhjetëravjeçare nga sallat e repartit të Urologjisë në QSUT, në qelitë e ngushta të Drejtorisë së Policisë së kryeqytetit.

Ndërkohë që edhe një tjetër “kalim” fantastik është konstatuar nga grupi hetimor, veçse kësaj radhe ka lidhje me llogarinë bankare të profesor doktor Kastriot Dautaj dhe të bashkëshortes së tij. Në dy numra të ndryshëm llogarish bankare, grupi hetimor i cili kishte vënë nën shënjestrën hetimore profesor doktor Kastriot Dautajn, gjeti kursime të majme që shkonin mbi 634 mijë dollarë amerikanë. “Perandoria e vockël” prej më shumë se gjysmë milioni USD, u justifikua më së shumti me punën në spital të mjekut 66-vjeçar me origjinë nga Vlora, me punën si pedagog dhe me dy punësimin e tij në dy klinika private.    

Operacioni i koduar “Veshka e humbur” ishte finalizimi i një hetimi të hapur të paktën që nga fundi i vitit të kaluar i Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë Shtetit, në bashkëpunim me Task Forcën Kundër Krimit Financiar dhe Korrupsionit pranë Prokurorisë së Tiranës. Në fund të vitit të kaluar, kohë kur grupi hetimor ra në gjurmët e historisë së veshkës së humbur të Zyhra Agos dhe filloi të mbledhë të dhëna e dëshmi rreth çështjes, u bë edhe regjistrimi i fillimit të procedimit penal. Për muaj të tërë, telefoni dhe takimet e profesor doktor Kastriot Dautaj mësohet se kanë qenë nën kontrollin e grupit hetimor. Gjykata e Tiranës ka vendosur përgjimin e bisedave telefonike të Kastriot Dautajt, ndërsa organi i akuzës ka autorizuar përgjimin e komunikimeve ambientale në vende publike, si dhe vëzhgimet dhe filmimet e fshehta policore. Ndërsa dje, rreth orës 12:00, u bë kapja në flagrancë e të dyshuarit Kastriot Dautaj, duke marrë një shumë prej 50.000 lekësh të reja pas kryerjes së një operacioni. Ai ka marrë pagesën nga babai i pacientes Luljeta Hoxha, Ibrahimi. Tashmë profesor doktor Kastriot Dautaj akuzohet për veprat penale të korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike, e shpërdorim detyre dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

5-6 raste korrupsioni në dosje

Hetimi i kësaj çështjeje ka filluar disa muaj më parë dhe janë vërtetuar shumë raste, ku kirurgu u merrte para pacientëve për çdo operacion që kryente. Shumë prej pacientëve që paraqiteshin në këtë spital, pasi kontaktonin këtë mjek, ai u sugjeronte të paraqiteshin në dy klinika private, në të cilat ishte i punësuar në punë të dyta, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Ndërkohë, burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se ata kanë në dosje “të kopsitur” të paktën 5-6 raste, ku Dautaj ka marrë shuma të konsiderueshme parash në këmbim të operacioneve në veshka. Policia e Shtetit falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe fton ata që të denoncojnë në polici rastet e korrupsionit përmes numrit telefonik 129, ose duke kontaktuar me shërbimet përkatëse pranë çdo drejtorie të policisë në qark.

I gjenden kursimet në dy llogari 

Drejtoria Kundër Krimit Financiar ka administruar për investigim informacionin e marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave, sipas të cilit, Kastriot Dautaj, mjek urolog pranë pavijonit të Urologjisë në QSUT, ka bërë një depozitë të konsiderueshme në “para të thata” në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Ai  pasur një llogari bankare në emrin e tij, ku ishin të depozituar 268 247 dollarë amerikanë, duke deklaruar si burim të ardhurash ushtrimin e profesionit të tij si mjek dhe si pedagog pranë fakultetit të Mjekësisë në Tiranë. Po kështu, nga verifikimet e një tjetër llogarie rrjedhëse në të njëjtën bankë, Kastriot Dautaj së bashku me bashkëshorten e tij kanë një llogari rrjedhëse në një shumë tjetër prej 365 819 dollarësh amerikanë, çka i çon kursimet e tyre në mbi 600 mijë dollarë amerikanë.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›