Unioni SHKK, ndër 5 mikrofinancat më të mira në Europë
Unioni Shoqërive të Kursim Kreditit është vlerësuar ndër pesë institucionet mikrofinanciare, të nderuara me Çmimin Europian për Praktikat më të Mira të Mikrofinancës për vitin 2010. Ky çmim i akorduar nga Rrjeti Europian i Mikrofinancës, në bashkëpunim me Fondacionin Giordano dell’Amore, u anonçua në Konferencën Vjetore të Mikrofinancës Europiane, mbajtur në Amsterdam më 9-10 Qershor 2011. Çmimi Europian mbi Praktikat më të Mira të Mikrofinancës është një vlerësim maksimal për ato institucione mikrofinanciare, të cilat me aktivitetin e tyre financiar kanë kontribuar gjerësisht në zbutjen e varfërisë dhe përjashtimit social në Europë. Gjithashtu, ky çmim synon që të demonstrojë modelet më të mira të aplikimit të mikrofinancës, të cilat promovojnë rëndësinë e mikrofinancës dhe inkurajojnë përhapjen e këtyre modeleve në çdo vend të Europës. Ndër 5 institucionet e vlerësuara me këtë çmim, Unioni SHKK u vlerësua me motivacionin e veçantë “si institucioni që është dalluar për një sistem të qëndrueshëm të mbështetur në parimet themelore të filozofisë së kooperativës financiare dhe për afërsinë e tij me anëtarët”. Unioni SHKK është institucioni i parë mikrofinanciar në Shqipëri, që vlerësohet me këtë çmim, duke treguar se është një model i mirë i përfaqësimit të mikrofinancës shqiptare në Europë dhe më gjerë. Aktualisht, Unioni SHKK është prezent në 1073 fshatra në 16 rrethe të vendit, dhe ka një total prej 31500 të anëtarësuar në 97 SHKK-të e rrjetit.