E Diel, 1 Nëntor 2026

Unioni i Gjyqtarëve refuzon tryezën për pagat: Presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë (UGJSH) ka vendosur të mos marrë pjesë në tryezën e konsultimit të thirrur nga kryeministri Edi Rama për çështjen e pagave të magjistratëve, e planifikuar për t’u zhvilluar sot në orën 12:00.

Në përgjigjen drejtuar Kryeministrit, UGJSH thekson se e vlerëson dialogun institucional si një instrument të rëndësishëm për adresimin e çështjeve me interes kombëtar dhe për gjetjen e zgjidhjeve kushtetuese, të qëndrueshme dhe afatgjata.

Megjithatë, sipas Unionit, çështja e pagave lidhet drejtpërdrejt me një proces kushtetues të nisur nga shoqatat e magjistratëve dhe që ende nuk është përmbyllur në Gjykatën Kushtetuese.

Unioni argumenton se, përpara vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, duhet të ruhet juridiksioni i kësaj Gjykate dhe parimet e objektivitetit, paanësisë, ndarjes së pushteteve dhe sundimit të ligjit.

“Duke pasur parasysh se, çështja që lidhet me objektin e konsultimit është e lidhur drejtpërdrejt me një proces kushtetues të sapofilluar nga shoqatat e magjistratëve dhe ende të pambyllur në Gjykatën Kushtetuese, që ka në thelb kundërshtimin e ndryshimeve të ligjit nr.96/2026 të bëra me ligjin nr.95/2026 dhe zbatimin pa asnjë diskutim të vendimit nr.15/2026 të kësaj Gjykate, që ka vendosur standartin minimum të pagës së magjistratëve shqiptarë, si dhe elementët mbi të cilët mund të ndërtohet një mekanizëm i qëndrueshëm, koherent dhe i parashikueshëm për përcaktimin e pagave të magjistratëve në të ardhmen, UGJSH e konsideron të nevojshme ruajtjen e pacenuar të kufijëve të juridiksionit kushtetues të kësaj Gjykate, parimet që garantojnë objektivitetin e paanësinë e saj, si dhe parimet që garantojnë funksionimin e një shteti të së drejtës, të mbështetur në parimet e ndarjes së pushteteve dhe sundimit të ligjit”, thuhet në përgjigjen e UGJSH-së e cila është publikuar në medie.

Megjithatë, gjyqtarët sqarojnë se mospjesëmarrja nuk duhet të interpretohet si mbyllje e dialogut institucional. Ata shprehen të gatshëm për të vijuar komunikimin dhe konsultimet në një moment tjetër, pasi Gjykata Kushtetuese të ketë dhënë vendimmarrjen e saj.

“Për këtë arsye, deri në një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me padinë e paraqitur nga shoqatat e magjistratëve, është e pamundur për ne pjesëmarrja në tryezën e konsultimit të datës 28 shtator 2026, pa e konsideruar këtë mospjesmarrje, si një mbyllje të dialogut institucional. Përkundrazi, mbetemi të hapur për çdo komunikim dhe dialog institucional në një moment të përshtatshëm, pas qartësimit të situatës nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e UGJSH-së.

Një ditë më parë, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi bëri të ditur sot se nuk do të marrë pjesë në tryezën e thirrur nga kryeministri Edi Rama me institucionet e Drejtësisë dhe shoqatat e ndryshme të magjistratëve për të diskutuar mbi një skemë të re të pagave.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›