E Diel, 1 Nëntor 2026

Dështon PE, ska deklaratë për Shqipërinë

Kukan: Jam i zhgënjyer. Bostinaru: Bejës i telefonuan nga Tirana, u prish kompromisi

Parlamenti Europian dështoi. Jo vetëm nuk mundi të afrojë palët për të nisur një dialog politik për zgjidhjen e situatës, por për herë të parë nuk mundi as të miratojë deklaratën e zakonshme përfundimtare në fund të takimit BE-Shqipëri. “Ngërçi politik ishte evident këtu në Parlamentin Europian, sepse pas dy ditë diskutimesh intensive, ne nuk ia dolëm të miratojmë deklaratën e përbashkët me rekomandimet e nevojshme. Jam i zhgënjyer, nuk e fsheh këtë, sepse për herë të parë një takim i tillë përfundon në një situatë të tillë”, vlerësoi Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Ballkanin në PE. Eurodeputeti rumun i PSDE-së, Victor Bostinaru, u shpreh se kompromisi u arrit me të dyja palët. “Zoti Beja erdhi në fund të negociatave, e ndoshta, them se ndoshta, ai pati telefonata nga Tirana, sepse bllokoi negociatat dhe ne nuk ia dolëm të miratonim deklaratën përfundimtare”, tha ai. Në vlerësimin e eurodeputetit kjo është e paprecedentë për takime ndërparlamentare apo komitete të përbashkëta që të mos kenë një qëndrim përfundimtar. “Kjo është alarmante për Parlamentin Europian, i cili nuk po sheh gatishmëri nga të dyja palët në Shqipëri për të punuar së bashku për fatin europian të vendit tuaj. Unë nuk e kuptoj dhe nuk e pranoj që përmes pingpongut, ne këtu në Parlamentin Europian të bashkëpunojmë, ndërsa kolegët tanë shqiptarë të mos bëjnë të njëjtën gjë”, insistoi Bostinaru.

Jo më pak e ashpër u tregua në deklaratat e saj të djeshme edhe eurodeputetja gjermane e PPE-së, Doric Pack. Ajo shprehu keqardhja që jemi ende në këtë situatë kaq problematike. “Tani ka protesta, bëhet grevë urie, po ata duhet të punojnë bashkë dhe i kuptoj shqiptarët që u ka ardhur në majë të hundës, që nuk besojnë më tek askush, as te kjo qeveri, as tek opozita, pasi kjo sjellje nuk e ndihmon klimën e krijuar në shoqërinë shqiptare”, theksoi Pack. Më tutje, shkon eurodeputeti Bostinaru, i cili i bën thirrje Edi Ramës dhe Sali Berishës të nisin menjëherë bashkëpunimin, për një marrëveshje të momentit të fundit, që është në mënyrë dramatike shumë e nevojshme. “Ndoshta mesazhi im është po ashtu dramatik, por ata duhet të kuptojnë se nuk mund t’i tregojnë muskujt njëri-tjetrit në mënyrë të vazhdueshme. çmimi është shumë i lartë dhe ata duhet të bëjnë ‘STOP’. Letrat janë në duart e zotit Berisha, sepse unë po të isha Kryeministër i Shqipërisë, e imagjinoj se ç’duhet të bëja, por fakt është se është z. Berisha. Ai duhet të tregojë lidership, gatishmëri e fleksibilitet për të arritur marrëveshje”, u shpreh Bostinaru.
Negociatat për të gjetur kompromis mbi deklaratën e përbashkët nisën që në mëngjes, përpara se të fillonte zyrtarisht takimi.

Ndërsa eurodeputetët e majtë dhe të djathtë hoqën dorë nga mbështetjet respektive të partive shqiptare, vetë socialistët dhe demokratët fokusuan energjitë e tyre në çdo fjalë të deklaratës, secila palë duke mbrojtur interesat e selive përkatëse. Shqipëria renditet e treta, pas Turqisë dhe Maqedonisë, në historikun e Parlamentit Europian për mosarritje të marrëveshjes me rekomandimet përfundimtare.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›