E Diel, 1 Nëntor 2026

Siguria në komunikacion nënkupton jetë

Vendose rripin...! Policia është afër!, janë rëndom rastet kur një numër i konsiderueshëm i pjesëmarrësve në komunikacion u thotë të tjerëve ose e dëgjon nga të tjerët! Kryesisht në këto momente e shohim të arsyeshme të vendosim rripin e sigurisë, e në të vërtetë për rëndësinë e përhershme nuk jemi edhe aq të vetëdijshëm sa duhet. Shoferi dhe pasagjerët asnjëherë rripin e sigurisë nuk duhet ta vendosin për hir të policisë ose për t’i “ikur” dënimit.
Ka arsye jetësore pse duhet vendosur rripi i sigurisë, ai ka disa funksione në rast të aksidentit ose gjatë një frenimi të vrullshëm, të papritur. Rripi i sigurisë, përpos tjerash, eviton mundësinë që pasagjerët dhe shoferi të hidhen jashtë, zvogëlon rrezikun e goditjes me timonin, me xhamin e përparmë, me pjesën e përparme të mjetit, gjë që në këtë mënyrë zvogëlon edhe lëndimet. Funksion tjetër është se mban trupin në atë pozitë saqë lejon jastëkun mbrojtës (përderisa mjeti është i pajisur) “air bag” të bëhet sa më i dobishëm për ju. 
është me rëndësi të veçantë që në rast aksidenti ju të frenoheni dhe të goditni jastëkun mbrojtës vetëm atëherë kur ai të hapet tërësisht, e asnjëherë ai t’ju godasë juve! Këtë e ofron rripi i sigurisë, sepse mban trupin tuaj gjersa jastëku mbrojtës të hapet!
Duhet pasur parasysh që kur mjeti lëviz, p.sh. me një shpejtësi prej 70 km/h, edhe trupi juaj si shofer, trupi i pasagjerëve, lëviz me po atë shpejtësi dhe vetëm mund ta paramendoni se çka bëhet nëse trupi godet pjesën e përparme të mjetit ose ata të cilët janë të ulur mbrapa të godasin ulëset e para ose të godasin trupin e shoferit e kështu me radhë....e tmerrshme.
Hulumtimet tregojnë që rripi ndikon shumë në sigurinë tonë dhe që ka shpëtuar shumë jetë.
Të nderuar lexues, bëhuni të bindur që ne, duke e përdorur rripin e sigurisë dhe duke kërkuar nga të tjerët të bëjnë të njëjtën, përveç që marrim pjesë në një mision humanitar,  ne marrim pjesë edhe në një lloj “trimërie”. Nuk mund të thuhet që kategorikisht nuk do të ketë më lëndime serioze e fatale nga pasojat e aksidenteve në komunikacionin rrugor po të jeni të sigurt që në parim ato do të jenë shumë më minimale.
Kur një person pëson lëndime serioze në aksident, ai duhet t’i nënshtrohet trajtimit shërues, ai/ata  shtrihet/n në spital, dikush duhet kujdesur për ta. Familjarët përpos tjerash duhet t’i lënë anash të gjitha obligimet duke u larguar nga puna dhe duke shpenzuar goxha shumë, duke blerë barna, duke angazhuar mjekë etj... prandaj të jemi të përgjegjshëm  për veprimet e sjelljet tona në komunikacion, sepse, përpos tjerash, shteti e bashkështetasit mbrohen edhe duke e vendosur rripin e sigurisë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›