E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet kalojnë në sitë vendet bosh

21/09/2009  Mbyllet faza e parë e regjistrimeve, rezultojnë rreth 3 mijë kuota të parealizuara në rang kombëtar

Hapat dhe procedurat që do të ndiqen për ngjitjet e preferencave dhe zbritjen e vizës fituese

Universitetet mbyllin regjistrimet për fituesit paraprak. Gjatë ditës së djeshme të gjitha sekretaritë e fakulteteve publike i kanë dhënë fund fazës së parë të regjistrimeve për fituesit e 2009-2010-s. Menjëherë sapo ka përfunduar afati zyrtar i vendosur nga Ministria e Arsimit në dispozicion të fituesve për të kryer këtë procedurë ka nisur dhe hartimi i listave përfundimtare me emrat e regjistruar, të cilët i janë përcjellë Rektoratit dhe më pas dërgohen pranë Agjencisë, ku do të bëhet renditja e fituesve përfundimtar në fazën e dytë të pranimeve. Pohohet se fakultetet që kanë realizuar përqindjen më të lartë të regjistrimeve janë Drejtësia, Filologjiku me rreth 95 për qind të fituesve, Shkencat Sociale dhe degë të caktuara të Universitetit Politeknik. Ndërsa universitetet në rrethe raportojnë kuota të shumta të mbetura bosh, për shkak se fituesit nuk janë paraqitur. Megjithatë, sot pritet të publikohet lista e plotë e vendeve të mbetura bosh për çdo program. Sipas rregullores, për kandidatët që nuk janë paraqitur për t’u regjistruar pohohet se do të fshihen nga baza e të dhënave dhe vendi i tyre do të plotësohet nga të tjerë kandidatë, që do të përzgjidhen nga APRIAL-i.

Vendet bosh

Drejtuesit e Agjencisë, ku është bërë renditja e fituesve sipas kuotave të miratuara nga qeveria për vitin e ardhshëm akademik, kanë pohuar se në fazën e parë të pranimeve janë evidentuar rreth 517 kuota të mbetura bosh, kryesisht të universitetet e rretheve Korçë, Shkodër, Vlorë e Elbasan. Përveç këtyre kuotave, tashmë të konfirmuara, pohohet të jenë mbi 2500 kuota të tjera, të cilat nuk janë plotësuar gjatë fazës së parë të regjistrimeve. Kjo shpjegohet me faktin se shumë prej kandidatëve të shpallur fitues në fazën e parë janë larguar jashtë vendit për të vijuar studimet, pasi kanë përmbushur kriteret aplikuese. Ashtu siç është deklaruar, këto kuota do të plotësohen me kandidatë të tjerë, të cilët nuk bënin pjesë në listën e parë të fituesve.

Renditja e re

Listat me vendet e mbetura bosh do të dërgohen pranë APRIAL-it, që do të bëjë renditjen përfundimtare të fituesve. Brenda tri-katër ditësh programi kompjuterik do të bëjë lëvizjen e preferencave nga më të ulëtat në ato më të lartat për ata fitues që do të ngjiten në preferenca për shkak të vendeve të parealizuara. Pas mbylljes së këtij procesi do të vijohet me spostimin e listës së fituesve me emra të tjerë që janë afër pragut minimal. Kjo vijë do të zbresë aq sa janë dhe kuotat e parealizuara për çdo degë. Lista e re zyrtare do t’u dërgohet universiteteve, që gjithashtu do të hapin një fazë të dytë të regjistrimeve përfundimtare. Nëse edhe pas kësaj faze do të ketë sërish vende bosh, atëherë do të bëhet rishpërndarja e kuotave nëpërmjet plotësimit të një formulari A-3 preferencash. Kjo vetëm për degët me kuota të parealizuara dhe për maturantët që nuk janë shpallur fitues.

Vendet bosh

Në fazën e parë të pranimeve janë evidentuar rreth 517 kuota të mbetura bosh, kryesisht në universitetet e rretheve. Përveç këtyre kuotave, tashmë të konfirmuara, pohohet të jenë mbi 2500 kuota të tjera, të cilat nuk janë plotësuar gjatë fazës së parë të regjistrimeve. Kjo shpjegohet me faktin se shumë prej kandidatëve të shpallur fitues në fazën e parë janë larguar jashtë vendit për të vijuar studimet, pasi kanë përmbushur kriteret aplikuese. Ashtu siç është deklaruar, këto kuota do të plotësohen me kandidatë të tjerë jofitues. Fituesit e fazës së dytë

Udhëzimi i regjistrimeve përcakton se kandidatët që kanë ndryshuar në renditjen e preferencave domosdoshmërisht duhet të çregjistrohen, në të kundërt rrezikojnë ndjekjen e studimeve të larta. Kështu, nëse një maturant gjatë fazës së parë ka fituar në preferencën e pestë dhe pas rishpërndarjes së re (në të cilën është bërë plotësimi i kuotave të mbetura bosh nga regjistrimet paraprake) rezulton të jetë fitues në preferencën e tretë, më parë duhet të bëjë çregjistrimin në degën ku është regjistruar në fazën e parë.

Regjistrimi përfundimtar

Vetëm pas kësaj ai mund të shkojë për t’u regjistruar në preferencën e tretë, që është përzgjedhja më e lartë e këtij kandidati në formularin A-2. Për të bërë çregjistrimin kandidatët duhet të paraqiten vetë dhe të marrin pranë sekretarive përkatëse dosjen me dokumentet e duhura, të cilën më pas do ta çojnë për procedurat e regjistrimit në preferencën më të lartë. Ndërsa kandidatët që gjatë dy fazave të regjistrimit kanë rezultuar fitues në të njëjtat preferenca, nuk e kanë të nevojshme të bëjnë riregjistrimin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›