Universitetet publike e private dhe një mashtrim amerikan (2)
[Media & Komunikim]
ILIR YZEIRI
Pjesa e parë e shkrimit tim mbi çështjen e universiteteve publike e private synonte të theksonte se liberalizimi i universiteteve dhe mungesa e kontrollit mbi to, bashkë me degjenerimin e universiteteve publike, e ka shkallmuar institucionin e dijes në këtë vend. Ndërkaq, direktiva e kryeministrit shqiptar për të nxitur investimet në arsim e shëndetësi, pra për të ndërtuar shkolla e spitale, duke u dhënë investitorëve të tillë tokë falas sipas modelit amerikan, është një mashtrim, që unë e kam quajtur mashtrim amerikan dhe një lapsus frojdian i kryeministrit, i cili e thërret Amerikën në ndihmë, vend e pa vend, ndoshta pse me të mund të ketë probleme të tjera. Në Shqipëri ekziston ligji për të favorizuar këtë lloj sipërmarrjeje qysh në vitin 1992, siç do ta shohim më poshtë. Universitetet private në Shqipëri janë krijuar si biznese dhe, po të shohësh debatet që bëhen për to, thuhet se ky është një treg i ri me të ardhme etj., etj. Kështu thoshte edhe A. Angjeli, veç të tjerash, në një shkrim të para disa ditëve në një të përditshme. Po, është e vërtetë se mund të jetë edhe biznes, por si i tillë duhet të vështrohet vetëm në fund, sepse me atë biznes mund të hedhësh në erë gjithë vendin në qoftë se ai nuk kontrollohet me rigorozitet nga shteti. Biznes në Shqipëri është gjithçka që shitet e blihet. Edhe të shesësh Atdheun është biznes, edhe të shesësh motrën e gruan siç kanë bërë shqiptarët në jo pak raste, është biznes. Edhe të zhbëhesh fare si komb e si shtet, është biznes, është kapitalizëm. Në Shqipëri, pasioni për biznes i qeverisë me klientët e saj rrezikon të na shpërbëjë lumenjtë, se në vend të tyre do të kemi hidrocentrale, detet, se në vend të tyre do të kemi pallate, malet dhe fëmijët e të rinjtë, se në vend të tyre do të kemi injorantë me diploma në brez.
Pranimet
Në universitetet private në Shqipëri mund të regjistrohet gjithkush që mbaron një shkollë të mesme, madje, për të të thirrur në Universitet kryhet një propagandë si për autoshkollat. Në këto reklama të gjithë ofrojnë çmimin. Pra, eja tek unë se e ke çmimin më të ulët, eja tek unë se bashkë me diplomën të jap edhe patentën e makinës e gjithfarëlloj marrinash, siç thonë shkodranët. Gjithë kjo është më shumë se një mashtrim, sepse të krijosh psikozën se të gjithë ata që futen në shkollë të mesme, do të duhet të mbarojnë detyrimisht edhe universitetin, është kriminale për një shoqëri. Më kujtohet se sapo erdhi në pushtet, ish-këshilltari i Berishës dhe sot ministër i tij, z. Pollo, tha se do të nxiste çeljen e instituteve profesionale dy ose trevjeçare. Mirëpo pas kësaj bëri krejt të kundërtën: lëshoi mbi njëzet licenca për universitetet private pa pyetur nëse i plotësonin kriteret apo jo. Ndërkaq, sistemi i pranimit me provimet e maturës shtetërore po dështon dhe për këtë ka dhënë alarmin edhe beniamini i kësaj qeverie, rektori i UT-së, Dhori Kule. Pse? Sepse ndodh që maturantët e Tropojës apo të Pukës të dalin me nota më të mira se ata të Tiranës, sepse provimet atje i zgjidh një mësues dhe rezultatet u jepen të gjithëve, pa pyetur se kjo është kopje. Frenimi për një dukuri të tillë nuk njihet më në shumë nga rrethet e vendit. Dhe rezultatet e maturës shtetërore janë një paradoks më vete. Nxënësit e rretheve janë të parët në renditje. Pra, pasi të ndreqet kjo anomali groteske, do të duhej që universitetet private në Shqipëri të pranonin të rinjtë ashtu si universitetet publike. Nuk mund të regjistrohesh në juridik apo në ekonomik në qoftë se nuk ke një minimum të caktuar pikësh. Mirëpo në Shqipëri mund të regjistrohesh për çfarë të duash ti, mjaft që të kesh para, mjaft që të bëhet biznes. Këto ditë po zhvillohet në Itali konkursi për pranimet në fakultetet e mjekësisë dhe të kirurgjisë. Janë mbi 80 mijë kandidatë për vetëm rreth 11 mijë vende. Pranimet në këto degë janë me konkurs. Italia, pra, nuk e ka liberalizuar këtë degë. Në Shqipëri po. Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë ka edhe degë mjekësie. Mirëpo pyetja që bëhet në këtë rast është e thjeshtë. Përse universitetet publike i marrin kandidatët për studentë nga ministria përmes formularëve të caktuar dhe universitetet private i marrin vetë pa pyetur për asnjë lloj kriteri? Pranimet në publik e në privat duhet të bëhen sipas një kriteri e një standardi të vetëm. Sepse biznesi nuk mund të fillojë që këtu…apo jo?
Stafi
Në Shqipëri shteti e ka çliruar këtë biznes nga TVSH-ja. Mirëpo sot askush nuk e di me saktësi se sa është norma e fitimit dhe sa fiton shoqëria dhe sa taksohet fitimi në këtë biznes. Ish-ministri i Financave të Ilir Metës dhe sot rektor i një universiteti privat ngjitur në një godinë që dikur i përkiste një ndërmarrjeje private bashkë me një universitet tjetër në krah, z. A. Angjeli, ankohej në një shkrim të para disa ditëve se Tatimet i kërkonin taksat për pedagogët e jashtëm. Në fakt, me gjithë ato lehtësi fiskale që ka krijuar shteti, do të duhej që të bënte një kontroll më rigoroz dhe ta informonte publikun për ecurinë e këtij lloj biznesi që funksionon pa TVSH. Për fat të keq, nuk ndodh kështu. Universitetet private punojnë me të njëjtin staf të universiteteve publike. Ministria e Arsimit ka shpallur se do të nisë kontrollin nëpër universitetet publike dhe do të kërkojë largimin nga puna të atyre pedagogëve që nuk kanë tituj e grada. Po me universitetet private çfarë do të bëjë? Sipas ligjit të Arsimit të Lartë të Republikës së Shqipërisë, që të hapësh një program studimi, duhet të kesh edhe një departament dhe, që të çelësh një departament, duhet të kesh të paktën një – dy me titull Profesor. Në rast të kundërt, ai program studimi nuk mund të çelet. Vetëm ky ligj të zbatohet dhe universitetet private do të duhej që të mbyllnin një ose disa programe studimi. Universitetet private sot paraqesin si pedagogë të departamenteve të tyre, pedagogët e universiteteve publike dhe në përbërjen e tyre gjen po të njëjtët emra rëndom. Nuk ka asnjë të keqe që një pedagog i universitetit publik të japë një ose disa kurse në një privat, por me një kusht që asnjë emër nga universiteti publik nuk duhet të shërbejë si garant për çeljen e një programi apo një departamenti të universitetit publik.
Mashtrimi amerikan
Thashë pak më lart që thirrja e kryeministrit për të ftuar sipërmarrës që të ndërtojnë shkolla apo spitale për nevoja publike dhe shteti në këmbim të kësaj sipërmarrjeje tu japë atyre tokë falas, është një mashtrim, madje mashtrim amerikan meqenëse ai përmend modelin e SHBA-së në këtë rast. Ka një shembull. Fondacioni katolik Zoja e Këshillit të Mirë ka marrë nga shteti shqiptar 100 000 metra katrorë tokë ne vendin që njihet me emrin Fusha e Aviacionit për të ndërtuar spitalin me emrin dhe me amanetin e Nënë Terezës dhe një Universitet. Mirëpo spitali nuk është ngritur, universiteti po. Fondacioni Zonja e Këshillit të Mirë e ka blerë atë tokë pra 100 000 metra katrorë me vetëm 1000 euro, sepse edhe sot e gjithë ditën ekziston ligji që, për nevoja publike, për ndërtim spitalesh apo shkollash, shteti vë në dispozicion terrenin me qira ose edhe mund ta shesë duke shumëzuar vlerën me koeficientin 0.001 lekë për m². Qeveria e vitit 1992 ka miratuar VKM-në me numër 305, datë 20.07.1992 Për qiranë e truallit që u jepet në përdorim për ndërtime personave fizikë e juridikë, vendas e të huaj, si dhe për çmimin e truallit që u shitet vendasve dhe që shumëzohet me koeficientin 0.001 lekë. Dhe ky lehtësim bëhet për ata që ndërtojnë shkolla e spitale për nevoja të interesit publik. Nuk është e qartë nëse fitojnë edhe ata që ndërtojnë universitete privat