Zjarret, 800 forca të ushtrisë angazhohen për mbajtjen nën kontroll
Rëndimi i situatës së krijuar nga zjarret që kanë përfshirë disa zona të vendit tonë, ka bërë që Shtabi i Përgjithshëm i FA-së dhe të gjitha strukturat e Forcave të Armatosura që prej ditës së djeshme të kalojnë në gatishmëritë të plotë, duke vënë në dispozicion të gjitha forcat dhe mjetet për të përballuar këtë situatë emergjente.
Të paktën 800 forca ushtarake janë vënë në dispozicion të shërbimit pyjor për shuarjen e zjarreve në disa territore të vendit. Një pjesë e madhe e tyre janë vendosur në malin e Dajtit, ku prej pesë ditësh vazhdon të digjet një vatër e madhe, e cila ka përfshirë nga flakët një pjesë jo të vogël të masivit, por që për fat të mirë është larg parkut kombëtar.
Forcat ushtarake janë duke punuar me mjete ndërtimi dhe mjete rrethanore për të vënë nën kontroll këtë vatër, e cila nga hetimet e deritanishme mendohet se ka ardhur nga një zjarrvënie e qëllimshme nga barinjtë. Sipas të dhënave zyrtare, edhe 400 forca të tjera ushtarake janë në gatishmëri nëpër reparte për ndërhyrje në rast të përhapjes së këtyre vatrave.
Ndërkohë, në Dajt situata mbetet e papërmirësuar, ndërsa shihen edhe zjarre të vogla në buzë të rrugës automobilistike.
30 gusht 2012 (gazeta-Shqip.com)
Zjarret, 800 forca të ushtrisë angazhohen për mbajtjen nën kontroll burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip