Universitetet, regjistrimi i fituesve deri më 3 tetor
TIRANË- Pas publikimit të listave të studentëve fitues të fazës së dytë të regjistrimit në shkollat e larta, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës udhëzon fituesit për regjistrimin, datat dhe dokumentet që nevojiten. Sipas saj, kandidatët që janë shpallur fitues në listat përfundimtare, në një program tjetër studimi, të një preference të tyre më të lartë, që të çregjistrohen nga programi i studimit ku janë regjistruar paraprakisht, dhe të regjistrohen në programin e studimit ku janë shpallur përfundimisht fitues. Kandidatëve që çregjistrohen, do tu kthehet dosja individuale, me dokumentet e tyre.
Kandidatët të cilët edhe në listat përfundimtare rezultojnë fitues në të njëjtin program studimi, nuk kanë nevojë të riregjistrohen.
Në këtë fazë për shkak të vendeve të mbetura bosh do të ketë edhe kandidatë që shpallen për herë të parë fitues.
MASH njofton të gjithë këta kandidatë se në datat 26, 27, 28, 29, 30 shtator dhe 1, 2, 3 tetor 2009, prej orës 08:00 deri në orën 18:00, sekretaritë mësimore të fakulteteve, duhet të kryejnë çregjistrimet e kandidatëve që janë shpallur fitues në një program studimi tjetër, të një preference më të lartë të tyre dhe të regjistrojnë kandidatët e rinj fitues, sipas listave përfundimtare të fituesve, të shpallura nga APRIAL-i.
Ndërsa IAL-të duhet të dorëzojnë pranë APRIAL, listat e kandidatëve të regjistruar në datë 5 tetor 2009.
Për regjistrimin përfundimtar kandidati duhet të paraqitet personalisht pranë sekretarive mësimore dhe të dorëzojë një dosje individuale, me dokumentet origjinale të mëposhtme:
a) Dëftesë pjekurie origjinale dhe në mungesë, një listë notash me fotografi, e nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale përkatëse.
b) Dokument identifikimi (Letërnjoftim, ID ose pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në mungesë të tyre certifikatë me fotografi.
c) 2 fotografi
d) Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë (Nr i llogarisë ku do të derdhet tarifa duhet të kërkohet në fakultetin përkatës)
"Kandidatët që nuk kryejnë regjistrimin përfundimtar brenda datave të përcaktuara në këtë udhëzim, për çfarëdo arsye, nuk do të përfshihen në listën përfundimtare të fituesve dhe do të humbasin të drejtën për të vazhduar studimet e larta për këtë vit"- thuhet në udhëzimin e MASH.
Universitetet, emrat e 22 mijë fituesve të fazës së II
TIRANË- Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë publike listat e studentëve fitues të fazës së dytë të regjistrimit në shkollat e larta publike. Pas mbylljes së regjistrimit të fituesve dhe pas mbetjes së vendeve të lira, nisi një tjetër fazë regjistrimi, që vijonte me ata që ishin në renditje.
Në dokumentin bashkëngjitur mund të lexoni emrat e atyre që kanë fituar të drejtën të ndjekin këtë vit studimet në universitetin e Tiranës.
Nëse edhe pas kësaj faze do të mbeten të tjerë vende bosh, do të ketë sërish regjistrime, deri në plotësimin e kuotave të përcaktuara sipas degëve.
Shikoni dokumentin ne pdf