Poeteka: Tom Sleigh na shpjegon fatin
Ja fituesit e edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë. Çmimet shkojnë për London, Çelën, Spahiun, Elsie-n, dhe Unaza Poeteka për poetin amerikan, Tom Sleigh
Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Durrës, 21-27 shtator, shpalli dje fituesit në ceremoninë e mbajtur në Muzeun Arkeologjik të qytetit.
Poetët pjesëmarrës nga afro 20 vende të botës, konkurruan me krijimtarinë e tyre për katër çmimet e përvitshme të POETEKA-s.
Juria, e përbërë nga Mira Meksi, Arian Leka, Agron Tufa, Erion Kristo dhe Ali Podrimja, i akordoi Çmimin LIBURNA për kontributin në vite poetit Bardhyl Londo. Juria e ka motivuar vendim e saj kështu: "Për lirizmin dhe ndjeshmërinë sociale të veprës së tij poetike; nisur nga e përditshmja, konkretja dhe nga mitologjikja, trilluesja, tiparet më të spikatura të poezisë së tij, që gdhendin e shumëfishojnë shenja të pashlyeshme si në mendjen ashtu edhe në shpirtin e lexuesit që komunikon për më shumë se 30 vjet me këtë krijimtari, të mbërthyer fort pas humanes, paradoksit dhe formave të organizuara poetike."
Çmimi NOSITI iu dha Robert Elsie-t, përkthyesit të letërsisë shqipe në gjuhën angleze, për punën kolosale që ka bërë që "Lahuta e malcis" e Gjergj Fishtës, më e madhja vepër epike në vargje e shkruar ndonjëherë në shqipe, të flasë në një nga gjuhët kryesore të botës moderne.
Elsie, jo thjesht një përkthyes prej më se 20 vjetësh i letërsisë shqipe, po edhe një kërkues shkencor dhe autor tekstesh studimore mbi botën shqiptare (Historia e letërsisë shqipe) është vlerësuar njëherë për këtë punë me "Penda e Argjendtë" nga Ministria e Kulturës, por "Poeteka" e jep këtë çmim në kuadrin e një gjinie të caktuar, të poezisë dhe motivacioni është ky: "Për përkushtimin e pashterueshëm ndaj letërsisë shqipe, sikundërse për kontributet e vyera në drejtim të njohjes dhe të përhapjes së vlerave të saj të pashlyeshme në mbarë botën anglishtfolëse."
Çmimi KRITERION iu akordua suplementit letrar "Albania e vogël" me kryeredaktor Zija Çela "për shërbimin e çmuar dhe hapësirën e gjerë ofruar në dobi të letërsisë, për nderimin e gjithë asaj që vlerësohet si më e vyera pjesë e traditës, për shërbimin ndaj modernitetit shqiptar dhe mbartjen në shqip të vlerave më përfaqësuese të letërsisë dhe mendimit botëror."
Çmimi PENA e Beratit, që ofrohet nga Bashkia Berat në bashkëpunim me revistën "Poeteka", iu dha poetit Xhevair Spahiu të premten në Muzeun Kombëtar "Onufri" në Kalanë e Beratit, çmim që kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi, ia dorëzoi bashkëshortes së poetit. Spahiu ka kaluar një periudhë të vështirë shëndetësore dhe ka kohë që nuk është shfaqur në publik.
Çmimi UNAZA POETEKA, i cili i jepet personalitetit poetik me të spikatur në festival, shkon për poetin amerikan Tom Sleigh. Juria e ka vlerësuar Sleigh-in "për veprën e tij poetike të thellë dhe plot mendim, përmes së cilës e bëri rëndësinë, delikatesën, fuqinë dhe energjinë shndërruese të poezisë më të ndjeshme dhe transparente. Por, pavarësisht këtyre, kjo poezi i mbërrin lexuesit si një dhuratë e çmuar formash dhe muzikaliteti. Përmes poezisë së tij, bashkëkohësit kuptojnë më mirë fatin, ndjejnë vlerën e kujtesës, fantazisë, pranojnë ekzistencën e njeriut që krijoi mitin dhe të njeriut tjetër që e bën realitetin e përditshëm të ngjajë si përjetësi edhe në tema që shumëkush i shmang në poezi si pushteti, morali dhe e drejta."
Në Poeteka morën pjesë Ales Debeljak (Slloveni), Tomislav Bilosniç (Kroaci), Edi Shukriu (Kosovë), Jovan Nikolaidis (Mal i Zi), Kim Mehmeti dhe Bogumil Gjyzel (Maqedoni), Onur Caymaz (Turqi), Cvetanka Elenkova (Bullgari) etj.
Një HONOREM iu kushtua poetit nobelist polak Çesllav Millosh, në 5-vjetorin e vdekjes dhe u prezantua libri i tij "Qyteti pa emër", përmbledhja poetike në shqipe. Po ashtu u paraqit "Tespihet prej fosfori" - marrëdhënie mes fqinjëve, me autor Jovan Nikolaidis.
Juria:
"Përmes poezisë së tij bashkëkohësit kuptojnë më mirë fatin, ndjejnë vlerën e kujtesës, fantazisë, pranojnë ekzistencën e njeriut që krijoi mitin dhe të njeriut tjetër që e bën realitetin e përditshëm të ngjajë si përjetësi edhe në tema që shumëkush i shmang në poezi si pushteti, morali dhe e drejta."