Universitetet, sot shpallen fituesit e fazës së katërt
TIRANE-Ditën e sotme pritet që të shpallen fituesit e fazës së katërt të regjistrimeve në universitet. Pas dorëzimit të formularëve A4 pranë DAR/ZA më datë 25 nëntor, kjo e fundit e dorëzon pranë APRIAL-it, i cili do të përpunojë të dhënat dhe do shpallë fituesit. Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit thuhet se pas përpunimit të të dhënave, APRIAL duhet të dorëzojë në datën 01.12.2009, në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të kandidatëve fitues, sipas programeve përkatëse të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, në institucionet publike të Arsimit të Lartë dhe DAR/ZA. Këto institucione sipas udhëzimit, duhet të afishojnë menjëherë listat në vende të dukshme në mjediset e tyre. Ndërkohë, regjistrimi i kandidatëve fitues bëhet pranë sekretarive mësimore të institucioneve publike të Arsimit të Lartë në datat: 2 deri 5 dhjetor 2009, nga ora 08:00, deri në orën 16:00. Për regjistrim, kandidati duhet të dorëzojë dosjen individuale me dokumentet origjinale: a)Dëftesë pjekurie (në mungesë, vërtetim note me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës e nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale (drejtori i Zyrës Arsimore), si edhe dokument të lëshuar nga Arkivi i Shtetit; b) Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë) dhe fotokopje të tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit; në mungesë të tyre kandidati dorëzon certifikatë personale me fotografi; c) 2 Fotografi; ç) Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekësh.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)