E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita Botërore e AIDS-it. Në Shqipëri 450 të infektuar

TIRANE-Sot është Dita Botërore e AIDS-it, e cila ka për qëllim rritjen e vetëdijes për luftimin e kësaj sëmundje.

Aktualisht në Shqiperi SIDA ka një prevalencë të ulët, pasi deri më tani janë konstatuar vetëm 450 persona të infektuar nga HIV/AIDS. Por, specialistët vënë në dukje se numri i personave të infektuar po rritet vit pas viti. Sepse vetëm për këtë vit janë raportuar 55 raste të reja me HIV, ndërkohë që vitet e mëparshme numri ka qenë më i ulët. Gjithsesi mendohet se ka një numër shumë të madh të rasteve të padiagnostikuara.

Në Tiranë me rastin e Ditës Botërore kundër HIV/AIDS do të organizohet një panair me karakter informues dhe edukues nga disa shoqata, pranë hotel "Tirana". Të pranishëm në këtë takim do të jenë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili si dhe drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, të cilët do të japin dhe deklaratat e tyre në lidhje me këtë sëmundje në vend.

Ndërkohë në një raport të Kombeve të Bashkuara, paralajmërohet se Evropa Lindore dhe Azia Qendrore janë të vetmet rajone në botë ku shkalla e përhapjes së HIV ende po vazhdon të rritet.

Raporti thotë se rreth 110 mijë njerëz tjerë janë infektuar me HIV në vitin 2008, duke e çuar në 1.5 milionë numrin e përgjithshëm në Evropën Lindore dhe Azi, krahasuar me 900 mijë sa ishte në vitin 2001.
Raporti thotë se Ukraina dhe Rusia po përjetojnë epidemi të rënda në rritje. Ukraina e ka shkallën më të lartë të të infektuarve në tërë Evropën, me të paktën 1.6 % të të rriturve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›