E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, tarifat e reja për akreditimin

12/08/2011   Udhëzimi i Financave dhe MASH, kostot për vlerësimet e të gjitha programeve studimore

Detajimet përkatëse për të tria ciklet e studimit si dhe riorganizimet e ristrukturimet e institucioneve

Për çdo program studimi të ofruar strukturat private të arsimit të lartë në vend fillimisht duhet të kalojnë pozitivisht vlerësuesit e brendshëm dhe të jashtëm të cilësisë, që përkojnë procesin e akreditimit përfundimtar, proces ky që do të ofrohet nga Agjencia Publike e Akreditimit nëpërmjet ekspertëve të huaj dhe atyre vendas kundrejt tarifave të caktuara. Nëpërmjet një udhëzimi të hartuar nga ekspertët e Ministrisë së Financave dhe ata të Arsimit janë riorganizuar kostot që universitete private duhet të mbulojnë për vlerësimin e programeve që do të vënë në dispozicion të studentëve. Në tabelat bashkengjitur shkrimit do të gjeni të plota të gjitha kostot që këto struktura duhet të shlyejnë për marrjen e vlerësimeve paraprake për të tria ciklet e studimit, si dhe tarifat e caktuara për vlerësimin e jashtëm të cilësisë dhe standardeve që do të ofrojnë në çdo program, që njihet ndryshe edhe si “akreditimi”.

Vlerësimi i programeve

Në ndryshim nga udhëzimet e mëparshme, tarifat që Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL) për shërbimet që do të ofrojnë ekspertët e jashtëm, vendas ose të huaj për vlerësimin e aplikimit dhe paraakreditimit kanë ndryshuar, vlerat e të cilave i gjeni të detajuara bashkëngjitur shkrimit. Sipas përcaktimeve të bëra, vlerësimi paraprak mund të bëhet për një program të ri studimi dyvjeçar jouniversitar për një program të ri studimi të ciklit të parë, të ciklit të dytë në shkencat sociale dhe humane. Njëkohësisht janë caktuar tarifat e parakreditimeve për programet e ciklit të dytë në fusha të tilla si mjekësi, stomatologji, farmaci, veterinari, inxhinieri, arkitekturë, si dhe ato për ciklet e treta të studimeve në shkencat sociale, humane si dhe në fushat e mjekësisë humane, veterinare etj. Krahas këtij procesi këto struktura duhet të paguajnë edhe për kontraktimin e ekspertëve të jashtëm, vendas ose të huaj, për vlerësimin e jashtëm, që njihet ndryshe edhe si “procesi i akreditimit”. Në këto raste vlerësimi mund të bëhet për një institucion që ka një ose dy fakultete, për një universitet me tri ose më shumë fakultete të klasifikuara, këto të detajuara për të tria ciklet e studimeve në vend.

Derdhja e pagesave

Njëkohësisht këto institucione për të rritur besueshmërinë mund të kërkojnë edhe shërbime të tjera, ku përfshihen vlerësimet e aplikimit për riorganizimin e studimeve të larta për ristrukturimin e institucionit, si dhe vlerësimin e kërkesës për hapjen e një njësie në institucionet e arsimit të lartë. Kategoritë që kanë aplikuar në nisje të vitit, por që nuk kanë derdhur tarifat e përcaktuara në udhëzimin e mëparshëm në këtë rast do të duhet të paguajnë tarifat e reja të përcaktuara nëpërmjet këtij udhëzimi të ri. “Kur pas vlerësimit paraprak ose pas vlerësimit të jashtëm Këshilli i Akreditimit ose ministri i Arsimit respektivisht sipas kompetencave vendos kushte për vlerësimin paraprak përfundimtar apo për akreditimin përfundimtar pozitiv dhe nëse institucionit i duhet ti nënshtrohet sërish procesit të vlerësimit paraprak apo vlerësimit të jashtëm, subjekti paguan sërish, por vetëm 35 për qind të tarifës së përcaktuar”, - saktësohet në udhëzim. Në çdo rast dredhja e pagesave do të kryhet në nisje të procesit në një nga filialet bankave të përcaktuara. Të ardhurat e arkëtuara nga shërbimet e realizuara nga Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë shpërndahen 10 për qind në Buxhetin e Shtetit dhe 90 për qind në buxhetin e Agjencisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›