Universiteti Politeknik me programe të reja studimi, rektori Fundo për ATSH-në: Këtë vit, rreth 1800 kuota për të rinjtë

TIRANË, 6 gusht/ATSH-Klotilda Saraçini/ Universiteti Politeknik i Tiranës do të hapë këtë vit të ri akademik programe të reja studimi në Bachelor në bashkëpunim me Universitetin e Tekonologjisë së Compiegne të Francës.
Rektori i UPT-së, prof. dr. Akli Fundo tha në një intervistë për ATSH-në se “këtë vit hapim Kampusin e Universitetit të Teknologjisë së Compiegne të Francës në UPT që është një nga arritjet më të mëdha në arsimin e lartë shqiptar”.
“Kemi bërë një marrëveshje 5-vjeçare ndërmjet dy universiteteve që në fakt ka tre marrëveshje: marrëveshjen për hapjen e kampusit, marrëveshjen për hapjen e programeve të studimit dhe marrëveshjen e rregulloreve kurikulare. Përveç kësaj do ketë një marrëveshje kuadër ndërmjet dy qeverive (Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Ministrisë franceze të Arsimit të Lartë dhe Shkencës)”, theksoi Fundo.
Për UPT-në, kjo kupton hapjen e dy programeve të përbashkëta Bachelor të studimit në vitin e parë.
Fundo bën të ditur se “një program që do të hapet është Bachelor në Inxhinieri Kompjuterike dhe një në Sisteme Elektronike. Mësimi do të zhvillohet në UPT me profesorë shqiptarë dhe francezë. Në fund studentët do të marrin dy diploma, një të UPT dhe një diplomë franceze të UTC. Ndërsa në vitin e tretë do hapet një program i ri Bachelor në Inxhinieri Mekatronike. E reja e këtyre diplomave të dyfishta është që mësimi bëhet në Shqipëri”.
Prof. dr. Fundo u shpreh se “pala franceze investon në 5 vjet rreth 1,6 milonë euro dhe pala shqiptare rreth 3,5 milionë euro. Kjo vjen pas 17 vjet pune dhe besim reciprok. Në nëntor 2024 bashkë me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilluam një vizitë në UTC ku vendosëm për të punuar për marrëveshjen”.
Rektori Fundo informoi gjithashtu se këtë vit hapet një program Bachelor në Inxhinieri Matematikë dhe Data Science (Shkenca e të Dhënave) dhe një Master në Aktuaristikë të dyja në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike.
Sa i përket preferencave të të rinjve për degët e UPT-së, Fundo tha se “të gjitha degët në UPT janë shumë të kërkuara sidomos në Fakultetet e Teknologjisë së Informacionit, Arkitekturës dhe Urbanistikës, Inxhinierisë së Ndërtimit, Inxhinierisë Mekanike dhe Inxhinierisë Elektrike. Këtë vit janë rreth 1800 kuota njësoj sa vitin e kaluar në Bachelor dhe Master”.
Lidhur me ndërkombëtarizimin e universitetit, Fundo tha se “me Universitetin e Teknologjisë së Compiegne të Francës kemi filluar në 2017 me diplomat e dyfishta në Master në Inxhinieri Informatike që u kthye më vonë në diplomë e dyfishtë e delokalizuar, që do të thotë se mësimi zhvillohet në UPT me profesorë shqiptarë e francezë”.
“Kemi një Master në Inteligjencë artificiale e mbështetur me një Projekt Europian Erasmus Mundus (rreth 6 milionë euro) nga katër universitete, UPT, UTC, Universiteti i Katalonjës dhe Universiteti i Xhenovës ku mësimi zhvillohet në secilin universitet nga një semestër. Këtë vit fillon viti i dytë i këtij masteri”, tha Fundo.
Në kuadër të ndërkombëtarizimit, shtoi Fundo, gjithashtu kemi diplomë dyfishe në Bachelor në Inxhinieri Mekanike me Universitetin e Viterbos (Itali), si dhe po punohet me Universitetin e Leces në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
Sipas tij, diploma e parë e dyfishtë ka filluar në 2009 në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit me Ecole Speciale des Travaux Publice të Francës dhe po shtrihet në Inxhinieri Arkitekture.
“Po ashtu kemi dhe diplomë dyfishe në doktoratë në Arkitekturë me Universitetin e Firences dhe diplomë dyfishe në Arkitekturë me Universitetin Luav të Venecias. Po punohet për disa diploma dyfishe të reja me universitete prestigjioze evropiane. Kemi bashkëpunime me shumë universitete perëndimore dhe projekte Erasmus pafund”.
Fundo vuri në dukje se në takimin vjetor të Erasmus në Nancy (Francë), Universiteti Politeknik i Tiranës u përmend si rast suksesi.
Lidhur me konkursin e pranimit në Fakultetin e Arkitekturës dhe Urbanistikës, Fundo tha se “të gjithë ata kandidatë për studentë që synojnë Arkitekturën dhe Urbanistikën do të mund t’i zhvillojnë konkurset e pranimit më 20 gusht në Pallatin e Kongreseve”.
“Si çdo vit ky fakultet ka shumë kërkesa”, tha Fundo.
/k.s//a.f//r.e/