Universiteti i Shkodrës, 3 në 4 studentë i blejnë provimet
Një anketë e realizuar nga Universiteti i Shkodrës, ka vërtetuar faktin se studentët, për të marrë provimet, duhet të paguajnë para. Sipas anketës, 3 në 4 studentë janë shprehur se kanë paguar për të marrë provimet.
74% e studentëve i janë përgjigjur me po, pyetjes se, a keni dhënë qoftë dhe vetëm njëherë para (lekë) për të marrë një lëndë. Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit me 88%, ndërsa më të ulët e ka Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 58%.
Problemi i korrupsionit në universitetet publike është një gjë që përflitet prej vitesh, sidomos në universitetet e rretheve, si Korçë, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër etj. Në këto universitete, nëse nuk paguan, e ke shumë të vështirë ta mbarosh shkollën, edhe nëse mëson. Universiteti i Gjirokastrës është një nga ekzemplarët e këtyre rasteve, ku studentë të ndryshëm, pohojnë se për të marrë një provim, duhet të paguajnë 100 mijë lekë të vjetra.
Në pyetësor morën pjesë 300 studentë, 50 për secilin fakultet të USH-së. Pyetësori u realizua nga Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës.