E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Prokuroria të hetojë prerjen e pemëve. Bashkia: PS të ndalë frymën e konfliktit

Share

Këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë kërkuar që të hetohet në lidhje me masakrën në Parkun Kombëtar të Tiranës. Përgjatë natës u zhdukën mbi 7 mijë metër katror pemë, ndërkohë që Bashkia nuk bëri asnjë njoftim. Këshilltarët socialistë thonë se Basha duhet të bëjë transparencë për këtë veprim, ndërkohë që në fushatë ka premtuar një qytet të gjelbër.

Kemi një sensibilitet të madh, një shqetësim të qytetarëve të Tiranës dhe organizatave ambientaliste, në lidhje me masakrën që ka ndodhur në Parkun Kombëtar të Liqenit në Tiranë, ku mijëra metra katrorë janë shkatërruar brenda një nate. Ne i kërkojmë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, të dalë menjëherë publikisht, të bëjë transparencë dhe të shpjegojë mbi çfarë baze ligjore, mbi çfarë akti e ka marrë këtë vendim? Ku janë bazuar autoritetet e bashkisë së Tiranës, që kanë ndërhyrë dhe kanë kryer këtë veprim që për ne konsiderohet antiligjor? I kërkojmë Prokurorisë së Tiranës të nisë menjëherë hetimet, tha kryetari i grupit të këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi.

Kurse Bashkia reagoi duke thënë se PS duhet të ndalë frymën e konfliktit politik.

Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve ka nisur punën për zgjerimin e kësaj rruge, një arterie e rëndësishme kombëtare.  Kjo rrugë, nga Fakulteti Ekonomik deri tek rreth – rrotullimi i Saukut, me gjatësi 1.7 km do të jetë me 6 korsi 2x8m, me trafikndarëse prej 1.5 m, ku është parashikuar dhe gjelbërim, si dhe me trotuare në të dy anët e rrugës. Gjithçka është bërë në përputhje me ligjin dhe interesat e qytetarëve. I bëjmë thirrje PS, të ndalë frymën e konfliktit politik dhe të orientohet drejt interesit të qytetarëve të Tiranës  dhe mbarë shqiptarëve që përdorin infrastrukturën e kryeqytetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›