E Diel, 1 Nëntor 2026

Universiteti i Vlorës sfidon ministrin Tafaj

Pedagogët e Vlorës, në një shkresë zyrtare plot me gabime ortografike, dhe me terma të çuditshme të shkruara në latinisht, kanë sqaruar studentët me mesatare 6 të qëndrojnë larg dyerve të Universitetit të Vlorës.

Po ashtu, në një tjetër shënim, pedagogët e Universitetit të Vlorës i drejtohen me tone sarkastike kolegut të tyre, rektorit të Universitetit të Politeknikut, Jorgaq Kaçani. Në deklaratën për të, pedagogët i sugjerojnë të merret me punët e tij dhe nëse i mëshiron studentët le t‘i marrë pranë universitetit të tij, ku në bashkëpunim me drejtoreshën e arsimit të lartë, Elida Hoxha, mund të kryejnë një akt bamirësie për këta studentë dhe prindërit e tyre. Studentët, nëpërmjet protestave dhe ankesave, kërkojnë të regjistrohen, por edhe pse ministri i Arsimit u ka dhënë garancinë e tij se ata tashmë janë pjesë e fakultetit, një tjetër surprizë është gjetur dje në dyert e këtij fakulteti.

Në një njoftim të printuar dhe të ngjitur në Universitetin e Vlorës, me tone të një ironie therëse, pedagogët e këtij universiteti u drejtohen studentëve dhe prindërve të tyre se njohuritë e tyre janë të cunguara deri në atë pikë, sa ata nuk janë të aftë të zgjidhin as ushtrimet e matematikës që nxënësit sot i zhvillojnë në klasën e katërt.

Pedagogët u janë drejtuar studentëve duke u thënë atyre se nuk janë pjesë e fakultetit dhe se provimet e tyre do të ishte mirë t‘i korrigjonte drejtoresha e arsimit të lartë në Ministrinë e Arsimit, Elida Hoxha. Studentët e Vlorës, të cilët janë fitues sipas APRIAL-it, por nuk e meritojnë të drejtën e studimit sipas stafit akademik të Universitetit të Vlorës, po u "ngrin" buzëqeshja në mënyrë të përsëritur. Nga një anë APRIAL-i dhe Ministria e Arsimit, me në krye vetë ministrin Myqerem Tafaj u kanë thënë studentëve: "Ta gëzoni të drejtën e studimit dhe mirëserdhët në auditorë". Nga ana tjetër janë pedagogët e këtij universiteti, të cilët nuk bien dakord për të zbatuar urdhra apo udhëzime nga Ministria e Arsimit dhe i quan të padenjë këta studentë për të qenë pjesë e auditorëve, për shkak të mesatares së tyre të ulët. Në fillim, senati i Universitetit të Vlorës mori një vendin për të mos pranuar asnjë student me mesatare poshtë 6. Më pas, në bazë të sistemit të Maturës Shtetërore, sipas skemës meritë-preferencë, këta studentë kanë fituar të drejtën e studimit në Universitetin e Vlorës. Sekretaritë nuk i pranuan ata të regjistroheshin. Ministri i Arsimit dha urdhër për t‘i pranuar ata dhe pavarësisht se kjo nuk u mor në konsideratë nëpërmjet një udhëzimi, Tafaj e bëri fakt pranimin e studentëve në fakultet. Me një tjetër deklaratë publike, pedagogët e Vlorës sqaruan se po shkelet autonomia e universiteteve dhe kontingjenti i këtyre studentëve nuk mund të japë cilësi dhe për më shumë nuk mund t‘i përballojnë mësimet dhe leksionet në këtë universitet. Nëse futen në dyert e Universitetit të Vlorës, ata do të dorëhiqen nga detyra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›