E Diel, 1 Nëntor 2026

Ura Vajgurore, edhe 5 të tjerë në spital nga uji i pijshëm

 

Është rritur numri i të infektuarve nga uji i pijshëm në Urën Vajgurore. Sot janë shtruar në spital edhe 5 të tjerë. Ndërkohë që 324 familje të varfra kanë protestuar para bashkisë për ujin e pijshëm. Banorët kanë kërkuar autobote me ujë pasi ata kanë deklaruar se nuk kanë mundësi financiare për të blerë ujë. Deri tani Bashkia nuk i ka ardhur në ndihmë banorëve. Mësohet se mbi 20 të tjerë kanë shkuar nëpër ambulancat e Urës Vajgurore për të marrë ndihmën e parë. Ku janë trajtuar me serume dhe pastaj janë kthyer sërish në shtëpi. Gjendja është bërë alarmante dhe nuk ka reagime në ndihma të bashkisë së qytetit.

Ndërkohë që pas përgjigjes së analizave, mbërritur nga Tirana, banorët e Urës Vajgurore dhe fshatrave nuk do të përdorin më ujin e çezmave për konsum. Konfirmimi i ndotjes, alarmi për të cilin u dha fill pas shtrimeve masive në spital ka detyruar drejtorinë e Shëndetit Publik të urdhërojë bashkinë për moskonsumimin e ujit. Ndotja me baktere, mungesa e klorinimit, afërsia me ujërat e zeza janë disa nga arsyet që parashtrohen në urdhrin e higjienës. “Në kushte të tilla këshillojmë se uji nuk duhet të konsumohet”,- thuhet në shkresën e higjienës. Prania e nitriteve në ujë, sipas burimeve e bën konsumin e tij të rrezikshëm për 17 mijë banorët e zonës.

Inspektori i Shëndetit Publik pranë bashkisë së Urës Vajgurore, thotë se brenda një kohe të shkurtër në spital janë paraqitur për ndihmë 200 banorë të zonës, të gjithë me të njëjtat shqetësime që vinin nga uji.Sulo Gozhina

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›