E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhani i qeverisë

 

Nesër është një ditë e shënuar për qeverinë e kryeministrit Sali Berisha. Është 26 maji. Nuk ka lidhje me fitoren 99.99 për qind në zgjedhjet e vitit 1996, por me hyrjen në fuqi të ligjit antiduhan. Dhe për të nisur festimet për këtë ditë madhore për qeverinë, “Spiuni” u nis të blinte një paketë pa pullë. E gjeti kollaj, në kutinë përplot me lloj-lloj cigaresh që i mbante në krah një 10-vjeçar që tymoste edhe kur kthente kusurin. Gjithandej nëpër rrugë dhe lokale, paralajmërime: “Ndalohet duhani”, diku i varur një poster i Ministrisë së shëndetësisë. Antiduhani ishte një arritje e madhe e Ministrisë së Shëndetësisë aq sa në faqen online të saj ai quhet arritje: “Ministria, me mbështetjen e parlamentit dhe të institucioneve partnere, hartoi ligje të rëndësishme, siç janë ligji kundër duhanit, ai për SIDA, si dhe përfundoi dy ligjet thelbësore të sistemit: ligjin bazë dhe atë të financimit shëndetësor”,-shprehej Nard Ndoka te Analiza vjetore 2007 me titull: “Aktiviteti, arritjet dhe problematikat e vitit 2007, Perspektivat e zhvillimit dhe prioritetet për vitin 2008” Për t’i dhënë më shumë vite jetës dhe më tepër jetë viteve…!.

“Spiuni” u interesua te Instituti i Shëndetit Publik që kishte marrë flamurin një vit më parë për të zbatuar mbarëvajtjen e ligjit. Atje e kishin harruar se nesër është një ditë kaq simbolike. “Aha, na e lagën këta të policisë. Vjet kemi vënë mbi 30 gjoba 500 mijë lekëshe për kundravajtësit, por askush nuk i ktheu ato letra bakalli në lekë. Na e lanë neve në derë, sepse ne u thamë që në fillim se nuk duhet të ishte inspektorati sanitar, ai që duhet të bënte kontrollet, por nuk gjetëm përkrahje nga Policia e Shtetit”,- u ankua njëri prej inspektorëve, ndërsa pinte duhan bashkë me “Spiunin” në kafene.

“Po pse e bëtë këtë ligj more?”-pyeti “Spiuni” dhe inspektori tregoi për gallatën që kish ndodhur gati dy vite më parë. “Kryeministri Berisha u mërzit shumë në gusht të vitit 2006, kur në treg ishin hedhur paketa me imazhin e tij”. “Spiuni” nuk i besoi këtë pistë të padëgjuar dhe hyri te faqja e qeverisë: “Zëdhënësi i kryeministrit bën të ditur se përdorimi i imazhit të kryeministrit Berisha në kutitë e paketave të cigareve, të hedhura në treg ditët e fundit, është krejtësisht i pautorizuar dhe i paligjshëm. Kryeministri Berisha përfiton nga rasti për të theksuar se ai personalisht e konsideron pirjen e duhanit armik shumë serioz për shëndetin e njeriut dhe se kryeministri është mbështetes i përpjekjeve për çkurajimin e përdorimit të duhanit, veçanërisht tek moshat e reja”,-thoshte njoftimi datës 3 gusht 2006 te www.km.gov.al.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›