Ura e Gjinikasit në Maliq e dëmtuar rëndë, kthehet në rrezik për banorët

Në zonën e Moglicë, në Bashkia Maliq, një urë e dëmtuar rëndë vijon të përdoret nga banorët, pavarësisht rrezikut serioz për jetën.
Ura e Gjinikasit, që lidh fshatin me rrugën kryesore, është shembur pjesërisht pak kohë më parë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve. Në mungesë të ndërhyrjes institucionale, banorët kanë improvizuar kalimin duke vendosur trarë druri dhe elementë metalikë për të kaluar në këmbë.
Si pasojë e dëmtimit të urës, banorët detyrohen të ecin për orë të tëra për të arritur në banesat e tyre, duke u përballur çdo ditë me vështirësi dhe rrezik të vazhdueshëm.
Burime nga Bashkia Maliq, që folën jashtë kamerave, pranuan problemin dhe bënë të ditur se janë në komunikim me Devoll Hydropower, e cila ka premtuar ndërhyrje për riparimin e urës.
Deri në realizimin e këtij premtimi, dhjetëra banorë të zonës mbeten të detyruar të përdorin urën e improvizuar, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre çdo ditë.
/vizionplus.tv