Uragani Lluka

Në vitet e 80’ta ka qenë punonjës teknik në shtypshkronjën e shtetit. Pas pak kohësh i mbushet mendja të bëjë diçka të tijen, edhe pse kjo nuk ka qenë aspak e lehtë në një shtet që nuk e ka stimuluar iniciativën private. Por, Ekrem Lluka gjithmonë e gjen një shteg. Pasi e hap kompaninë e tij private, ai bashkë me nja 10 punëtorë e nisin një biznes, që tash pas pak më shumë se 20 vjetësh është zhvilluar si një ortek bore në Himalaje. Biznesmeni pejan, që edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetojë në Pejë, gjatë luftës e ka humbur gjithë pasurinë e tij. Por, keshin ka arritur ta nxjerrë përtej kufijve, kurse me atë kapital i filloi pasluftës përpjekjen e tij të dytë.
Tash ai i ka krejt çka një biznesmen ëndërron t’i ketë. Kurse Ekrem Lluka ëndërron të ketë edhe më shumë se kaq. Ai ka pranuar që të intervistohet nga gazeta Express, gjë të cilën nuk e ka bërë asnjëherë për ndonjë medium të shkruar ditor.
Express: Cila është puna e parë e Ekrem Llukës?
Lluka: Në vitin 1981 kam punuar në shtypshkronjën e shtetit. Kam qenë teknik në shtypshkronjë. Punova deri në vitin 1985, kur e lëshova punën dhe u përgatita të punoj diçka privatisht. Mora zanatin mirë dhe mësova si funksionojnë krejt makinat. Isha i ri dhe kisha idenë në kokë qysh ta bëj një shtëpi për veti se kisha shumë nevojë.
Express: Sa vjet i ke pasur atëherë kur e bëre shtëpinë?
Ekrem Lluka: I kam pasur 26 vjet kur u bëra me shtëpi. Mandej fillova intensivisht të punoj në biznes privat.
Express: A është lejuar në atë kohë biznesi privat?
Lluka: Ajo ka qenë si një organizatë kontraktuese. Privat jo, por duhej disi të futeshin sindikata aksionare dhe të punoje përmes Odës Ekonomike...
Express: Në Pejë janë regjistruar bizneset e para private në Kosovë a po...?
Ekrem Lluka: Po, e vërtetë. Kanë qenë disa pejanë këtu që kanë hap firma private.
Express: Deri në cilën kohë punove vetëm me shtypshkronjë?
Ekrem Lluka: Deri në vitin 1989 - `90....
Express: A keni pas punë?
Ekrem Lluka: Ditë e natë kemi punuar. Kam nisur me 7 punëtorë dhe mandej jam zgjeruar. S`ka pas kompjuterë në atë kohë dhe gjithçka është bërë përmes letrës. Tri vjet kam punuar personalisht në shtypshkronjë, e pastaj u tërhoqa.
Express: Çka punuat pasi u tërhoqët nga shtypshkronja?
Ekrem Lluka: Fillova duke kërkuar punë dhe hapësira të reja për biznes. Hapa disa librari. Më duket 20 në krejt Kosovën, në të cilat shiteshin kryesisht gjëra që kishin burim letrën. Kështu fillova t`i përkushtohem tregtisë.
Express: A ka qenë problem të punohet me dinarë në atë kohë për shkak të inflacionit?
Ekrem Lluka: Jo. Atëherë ka qenë fort mirë dhe kjo periudhë për ne ka qenë e leverdishme. Unë shkoja e blija me dinarë mall për shembull deri në 100 tonë. Transporti vonohej diku afër 100 ditë dhe deri sa vinte ky mall në Kosovë mua 90 tonë më mbeteshin pa pare. Shumë e leverdishme ka qenë puna e inflacionit në atë kohë dhe unë nuk ndalesha...
Express: Sikur tash?
Ekrem Lluka: Unë me të njëjtën tempo kam punuar gjithë jetën time. Edhe tash zgjohem para punëtorëve.
Express: Mandej fillove vetëm me tregti?
Ekrem Lluka: Po. Vetëm me tregti.
Express: Çka tregtoje? Çfarë mallrash?
Ekrem Lluka: Po, ka ndodh për shembull në atë kohë kam sjellë në Kosovë televizorë. Kam sjellë me nga 20 mijë televizorë përnjëherë.
Express: Si keni arritur të bëni këtë import?
Ekrem Lluka: Serbët i quanin atëherë kontingjente importe. Për shembull të importosh krejt atë masë të televizioneve kërkohej që kjo të aprovohej prej një grupi të caktuar të qeverisë së Serbisë, gjë që ishte e pamundur për shqiptarët. Kurse unë importin e televizorëve e solla prej Turqisë në një formë tjetër. Televizorët në Turqi i ndava në tri pjesë. Kështu kapakët e televizioneve i solla prej një pike doganore, makinat e televizorëve prej një pike tjetër dhe ekranat prej një tjetre. Arrita t’i fus në Kosovë si pjesë, e mandej i bashkuam si tërësi dhe i shitëm .
Express: I keni sjellë si pjesë, a po?
Ekrem Lluka: Po, po si pjesë. Mandej ata s`e kuptuan këtë. Por, kur e morën vesh se diçka tregu i televizorëve u hallakat, ata ndërhynë dhe u bënë fort nervozë.
Express: Ka qenë shtytja jote kryesore kjo në tregti dhe në biznes?
Ekrem Lluka: Jo, kryesorja. Kanë qenë edhe shumë raste tjera dhe mallra të ndryshme kam importuar deri në fillim të vitit 1998.
Express: A je marrë me cigare edhe në atë kohë?
Ekrem Lluka: Po, edhe me cigare jam marrë. Kam pasur deri në 200 trafika në Kosovë, ku shiteshin cigaret dhe produktet nga letra.
Express: E në luftë?
Ekrem Lluka: Gjatë luftës shkova në Mal të Zi dhe mandej kalova në Turqi, ku kam edhe një shtëpi timen.
Express: E pas luftës çfarë keni bërë. A u shkatërrua biznesi?
Ekrem Lluka: Po, krejt. Më prishën krejt biznesin dhe shkatërruan pasurinë. Edhe makinat m`i prishën. Forcat serbe kishin minuar shtëpinë time.
Express: Prej ka ia nise mandej pas luftës. Cila ishte puna e parë?
Ekrem Lluka: Prapë kam nis me shtypshkronjë. Fillimisht kam rregulluar shtypshkronjën.
Express: Ku i more paratë për me nis prapë biznesin?
Ekrem Lluka: Pata arritur t’i dërgoja disa para jashtë shtetit dhe kur u ktheva kisha pak kesh. Kështu i investova krejt në shtypshkronjë.
Express: Prej krejt bizneseve, ju më së shumti e doni shtypshkronjën ?
Ekrem Lluka: Po, definitivisht. Është biznes i mirë dhe është punë që e di mirë. Më vonë u zgjerova prapë pas shtypshkronjës gati si herën e parë. Fillova edhe me ndërtim...
Express: Prej cigareve hoqe dorë?
Ekrem Lluka: Jo, jo. Prej cigares ende s`kam heq dorë. S`jam kryesori në treg, por ende punoj.
Express: Keni pasur edhe një fabrikë të cigares?
Ekrem Lluka: E kam ende fabrikën, por nuk kam mundur ta funksionalizoj shkaku i akcizave dhe disa tatimeve që s`lënë shumë për të fituar.
Express: E pate vështirë pas luftës të bësh biznes?
Ekrem Lluka: Aspak. Ne kishim dalë prej asaj periudhe të Serbisë që ka qenë shumë e vështirë, ndërsa pas luftës vetëm a ke dashtë të punosh sepse ka qenë shumë lehtë të zgjerohesh dhe zhvillohesh në biznese.
Express: Tash sa biznese keni? A kishit mundur ta në i tregoni cilat janë ato?
Ekrem Lluka: Tash janë shumë. Po nisna prej kompanisë së sigurimeve. Kompanisë së ndërtimit. Kjo e shtypshkronjës. Mediat i kam - Radio dhe Televizion. Kam Fond Pensional. E kam Birrarinë. E kam hotelin Onix në Banjë të Pejës. Hotel Metohinë - tash Dukagjini. Kam filluar një ndërtim shumë të madh në Prishtinë që quhet World Trade Center. Telefoninë mobile D3 Mobile. Kam filluar edhe me një spital të kardiologjisë.
Express: E jashtë Kosovës çka ka Ekrem Lluka?
Ekrem Lluka: Në Shqipëri kam investuar dhe zgjeruar me hidrocentrale që janë multi- megavateshe. Edhe në Slloveni kam një biznes.
Express: Çfarë biznesi është ai në Slloveni?
Ekrem Lluka: Një biznes që m`shërben shumë edhe për Kosovë të blej mallra.
Express: Do të thotë ju jeni njeriu më i pasur në Kosovë? A ka shumë milionerë vendi jonë?
Ekrem Lluka: Unë mendoj që ka.
Express: Sa janë? A janë me qindra?
Ekrem Lluka: Me qindra jo. Por, ka mjaft.
Expres: Çfarë raportesh kanë biznesmenët ndërmjet veti këtu?
Ekrem Lluka: Shumë të mira i kanë. Punojnë shumë bashkë. Takohen. Nuk janë të llojit të Shqipërisë, sepse atje s`kanë edhe shumë raporte të mira.
Express: Sa ka vlerë pasuria juaj?
Ekrem Lluka: Nuk e kisha thanë. Nuk është mirë me thanë...
Express: Nuk e di?
Ekrem Lluka: E di, po nuk e kisha thanë.
Express: A është Behgjet Pacolli më i pasur se ju?
Ekrem Lluka: Po, është më i pasur se unë.
Express: Pse mendon?
Ekrem Lluka: Ka biznese të mëdha jashtë Kosovës. Është biznesmen i mirë dhe unë kam respekt për të.
Express : Çfarë është ambienti i investimeve në Kosovë. A është situatë e mirë në nivel qendror dhe lokal?
Ekrem Lluka: Na patëm një delegacion të biznesmenëve sllovenë. Dhe ata e shohin si tregun dhe vendin më të përshtatshëm për investime. Ata thonë se është vendi më i mirë në regjion për investime. Edhe në nivel lokal dhe ato qendror jam i kënaqur.
Express: A është zor të kesh pasuri të madhe në këtë vend. A paguan haraçe apo lloje të ngjashme të presionit?
Ekrem Lluka: Jo, jo unë s`paguaj haraçe as s`kam presione. Është një vend shumë i mirë për biznesmenë.
Express: Çfarë është ekonomia e Kosovës? A ka krizë?
Ekrem Lluka: Realisht nuk ka ndonjë krizë të madhe në Kosovë. Për shembull sllovenët po humbin shumë nga kriza. Atje kanë ra aksionet dhe shumë biznesmenë kanë hup krejt çfarë kanë pasur. Dhe ne s`kemi hi në këso ngarkesash të mëdha dhe kredi të mëdha. Tek ne s`ka asi humbje të mëdha.
Express: Sa punëtorë i ka kompania Dukagjini në tërësi?
Ekrem Lluka: Mbi 800.
Express: A paguhen mirë? Sa është rroga mesatare?
Ekrem Lluka: Paga minimale është 250 euro.
Express: Sa i paguani tatime në vit shtetit në baza vjetore?
Ekrem Lluka: Unë punoj shumë dhe bëj biznes. E për tatime nuk mundem saktësisht të ju them. Por, në vitin 2008 kam paguar diku 1.5 milionë euro tatim mbi fitim.
Express: Ku jeni koncentruar më shumë tash?
Ekrem Lluka: Në gjitha anët. Kemi filluar investimet në Banjë të Pejës me sllovenët.
Express: Çka të lidh ty me sllovenët që jeni gati në çdo biznes me ta?
Ekrem Lluka: Janë partnerë të mirë dhe kam lidhje të vjetra me ta. S`jam njeri që ndërroj shumë. Sllovenia është modeli më i mirë për ne me marrë si kopje.
Express: Cila është prognoza jote afatmesme që Kosova të ketë një gjendje më të mirë ekonomike. Ku duhet të fokusohet?
Ekrem Lluka: Unë mendoj se kjo duhet të fokusohet më shumë në prodhim. Prodhimi nuk është në nivelin e kënaqshëm.
Express: Ju s`po mendoni të hyni në këtë industri?
Ekrem Lluka: Unë po shikoj të futem në prodhim. Do t`ia nisi shumë shpejt. Për shkak se edhe fuqia punëtore është më e lirë këtu. Unë biznes prodhimi aktualisht kam birrën dhe shtypshkronjën. Jam shumë i interesuar që të futem edhe në prodhime ushqimore.
Express: Pas gjithë këtyre bizneseve, ku do ta shohim në biznesin e ardhshëm Ekrem Llukën?
Ekrem Lluka: Pos prodhimit, askund tjetër. Me rëndësi e kam që këto t`i stabilizoj edhe më shumë dhe me to të punoj.
Express: Ku e keni familjen?
Ekrem Lluka: Vajzën e kam në shkollën amerikane këtu – AUK, ndërsa djali pasi ka kryer shkollën e mesme në Zvicër, ka vazhduar shkollimin në Belgjikë.
Express: Ndërmend s`e keni m`u ndalë me biznes?
Ekrem Lluka: Jo. Unë aktualisht i kam 50 vjet dhe jam ende vital për të punuar.
Bizneset e Ekrem LLukës :
Kompania e Sigurimeve.
Kompania e ndërtimit.
Kompania botuese - Shtypshkronja
Radio dhe Televizioni Dukagjini
Fondi Pensional
Birraria në Pejë
Hotelin Onix në Banjë të Pejës
Hotel Dukagjini.
Qendra tregtare World Trade Center.
Telefonia mobile D3 Mobile
Spital i ri i kardiologjisë.
Hidrocentrale në Shqipëri.
Biznes në Slloveni.