Uragani Migjeni

Dokumentari mbështetet mbi dëshmi autentike, në rrëfimet e personave që kanë pasur kontakte me shkrimtarin e madh por gjithashtu pasqyron jetën, veprën dhe virtytet njerëzore që ka pasur si shkrimtar dhe mësues.
Ideatorja dhe skenaristja e dokumentarit, gazetarja Tefta Radi deklaroi se pas një pune hulumtuese, përmes këtij dokumentari vijnë edhe fakte të reja e të panjohura më parë për shkrimtarin.
Sipas saj, siç bën të ditur Kosovapress, të gjitha së bashku zbulojnë shkrimtarin Millosh Gjergj Nikolla, që jetoi pak, por la pas një vepër të plotë që u parapriu kohërave.
Ajo shpjegon se figura e tij vjen në dokumentar si një qenie e madhe sociale, me gjenialitetin e mendjes, të penës, më historitë e dhimbjes e të dashurisë.
“Motivet që më shtyn të bëj këtë dokumentar për Migjenin janë të shumta. Së pari që e dashuroj Migjenin dhe krijimtarinë e tij. Së dyti kam burim mirënjohjeje, njerëz nga familja Radi që kanë punuar me Migjenin në Pukë. Gjithashtu, unë kam punuar disa vite në Pukë, kam hulumtuar rreth tij, kam pasur fatin të njihem më nxënësit e tij, që mbeten dëshmitarët e fundit të viteve 1930, më mirë se ata askush nuk mund të dëshmoj. Jam përpjekur të sjell dëshmi autentike, megjithatë nuk mund të them se kam arritur gjithçka, sepse kërkimet për Migjenin mund të vazhdojnë, të tjerë dokumentar mund të bëhen, të tjera të dhëna dhe fakte mund të rrinë”, ka thënë Radi.
Në dokumentar nuk mungojnë edhe dëshmitë e trashëgimtarëve të familjes Nikolla, mbesës Angjelina Ceka dhe nipit Gjergj Pero. Mjaft fakte interesante sjellin edhe studiuesit Moikom Zeqo, Adriatik Kallulli e të tjerë.
Mbesa e Migjenit, Angjelina Ceka, e cila sjell dëshmi të reja nga jeta e shkrimtarit, thotë se edhe në të kaluarën ka pasur disa dokumentarë të shkurtër televiziv që i janë kushtuar Migjenit. Mirëpo, sipas saj, dokumentari i Tefta Radit, "Migjeni, ky uragan", është më i plotë dhe i realizuar në mënyrë perfekte.
“Mendoj se ky dokumentar është më i plotë,është trajtuar me dashuri, dhe Tefta edhe si një mësuese që ka qenë në Pukë dhe duke njohur psikologjinë dhe traditat e Pukës,ka hyrë në brendësi të viteve dhe jetës së Migjenit, në kohën kur ai ishte mësues në Pukë”, ka thënë Ceka.
Në dokumentar, një vend të rëndësishëm zënë edhe interpretimet e aktorëve shkodranë Enver Hyseni, Merita Smaja e Paskualina Gruda.
Përndryshe, shkrimtari, Millosh Gjergj Nikolla, apo ndryshe i njohur si “Migjeni”, ka lindur me 13 tetor në vitin 1911në qytetin e Shkodrës, ndërsa vdiq më 1938, në moshën 27 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë në një spital në Torino të Italisë.
Migjeni ishte poet dhe prozator shqiptar i shquar i viteve 1930 dhe konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të.
Ai shquhet me veprat e tij, përmes se cilave i këndoi dhimbjes, mjerimit, por edhe të ardhmes që do të ishte, sipas vizionit të tij, ndryshe.