E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urat dhe Protestat

Shembja e një ure mbi lumin Bistricë izolon disa fshatra nga qyteti i Sarandës. Kanë kaluar më se dy muaj nga shembja e urës, por askush nuk interesohet për të zgjidhur shqetësimin e këtyre banorëve, të cilët për një vizitë mjekësore apo për nevoja të tjera jetësore, do t'iu duhet që të përshkojnë rreth 40 km rrugë për të arritur Sarandën. Dhe ky ka qenë edhe shkaku primar që banorët e fshatrave Fanar etj. përreth, të cilët ndodhen rreth 12 km larg qytetit të zgjedhin paraditen e së dielës për të protestuar, pasi shqetësimi i tyre i bërë edhe publik, deri tani ka rënë në vesh të shurdhët.
Rasti i shembjes së kësaj ure është shumë domethënëse, për vetë faktin se është simbolike. Tejet simbolike. Sepse urat dihet janë një nga krijimet strukturore më të larta që njeriu i ka bërë vetvetes. Sepse urat ndihmojnë materialisht të kapërcejnë vështirësi të papara, hapësira boshe, ujëra të rrëmbyeshme; shpirtërisht ndihmojnë të lidhin kontakte, miqësi, dashuri, të kapërcejnë konflikte. Lidhin kultura të shumëllojta midis tyre.
Nëse flasim konceptin e lidhjes dhe bashkimit ndërmjet vendeve duhet parë në fillim dëshira e natyrshëm e të qenit pjesë e diçkaje, e një komuniteti natyror e fiziologjik siç është aspirata jonë euro-atlantike. Edhe pak ditë do të jemi në superstrukturën e NATO-s, pra i rivendosëm urat me pjesën tonë më Oksidentale. Pa dyshim një arritje. Presim me padurim të lidhim urat edhe me kontinentin e vjetër që politikisht e shpirtërisht krijojnë Bashkimin Evropian. Pa dyshim një dëshirë natyrale. E në fund vijnë fshatarët përreth Sarandës që iu është prishur ura ndërlidhëse me urbanitetin, me tregun e lirë fiziokratik, me detin. Këtyre qytetarëve të kategorisë së dytë iu është prerë indi lidhës me gjallërinë, me dritat e larmishme të diskotekave, me tabelat poliglotë, e me pluhurin që funksionon si aksesor i rrobave. Iu mungon asfalti e betonuar anekënd. Iu mungon pamja e pallateve pa leje. Iu mungon rrëmuja kaotike e rrugëve të qytetin bregdetar. Pa dyshim një mungesë jetësore.
Në shqiptarët dihet jemi një popull i jashtëzakonshëm, por do të më pëlqente që nganjëherë të jemi të zakonshëm. Normal. Sepse nganjëherë futemi në diskurse dialektike të shterpa që mbarojnë kur mbaron drita në paralajmërime apokaliptike, në denoncime cinike mbi dukuritë epifenomike sipërstrukturore të shoqërisë dhe nuk shikojnë se njerëzit e thjeshtë mbeten pa ura, pa kullota, pa kompensim, pa rrugë e pa ujë. Faji mbetet jetim në pjesën më të madhe të rasteve. Jetim në kuptimin se askush se merr përsipër të behet tribun i kauzave të vogla. I problemeve të përditshme që zgjidhen e hidhen në kazan e turbullt të prag zgjedhjeve. Egoja jonë është aq e madhe sa kërkojmë lavdinë, lavdinë e përjetshme me kauza hiperbolike. Sidomos ne metropolitanët e Tiranës, të Durrësit, të Shkodrës, të urbanizuarit indiferentë që kemi një agjendë tjetër kundrejt kërkesave të thjeshta e banale të fshatarëve provincialë, kësaj here të Sarandës, që këto kërkesa legjitime për ta janë jetësore.
Sapo thamë më lart se kemi prioritete globale që na integrojnë në strukturat euro-atlantike, por urat që të na lidhin me njerëzit tanë së pari po shemben, e së dyti askush se vë ujin në zjarr se Evropa na do dhe faqe të bëra pis nga pluhuri. Mendësia komuniste akoma bën zap mbi-vështrim tonë mbi gjerat që na interesojnë vërtet. Veç rikujtoni pak tog-fjalën e bashkëshortes së E. Hoxhës në prag takimin me ministrin e jashtëm Gjerman në vitin 85-së “ne nuk ndryshojmë, po deshi Evropa të na marri kështu siç jemi”. Mendësia totalitariste këtu ftillohet në dëshirën për mos ndryshim, të ruajtës së moçalit konceptor mbi jetën, mbi punën, mbi cilësinë e dinjitetit, të shikimit maskiliste-patriarkale aq më keq të thënë nga një femër mbi botën të përfytyruar si një burrë që do të na marri për grua. Mendësia që shemb ura.
E pra, shembja e asaj ure në vitin 1985-së na nxori edhe për gjashtë vjetët të tjera jashtë loje, jashtë takimeve, jashtë miqësive, jashtë dashurive, jashtë tregut, jashtë demokracisë. Shembja e urës së fshatit fanar ose/dhe fshatrave të tjera që duan të lidhen me qytetin, me Sarandën edhe për sa kohë do t’i lejmë jashtë dere?  Shembja e kësaj ure: d.m.th i të gjitha urave të shembura është një mikro-traumë që do të vështirësojë edhe më tej jetën e këtyre banorëve legjitimë të këtij kombi të jashtëzakonshëm, që për ta do të ishte më mirë të ishte i normal. Gabriel Garcia Marquez, shkrimtar kolumbian, në një tregim të tij shkruan : në një vend ku korrupsioni moral mbërrin në pothuajse të gjitha nivelet, “turpi – thotë një personazh – “ ka memorien e dobët”. Me një fjalë asgjë e re poshtë diellit.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›