Shefer i shkruan Bashës: Ftojmë Shqipërinë të bëhet anëtare e NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer i ka shkruar një letër ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, ku i deklaron se Shqipëria ftohet zyrtarisht të aderojë si anëtare më të drejta të plota e NATO-s në samitin e Strasburgut, pasi të gjitha shtetet kanë depozituar dokumentet e ratifikuara.
TIRANE - Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, ka ftuar zyrtarisht Shqipërinë të aderojë si anëtare e me të drejta të plota në Traktatin e Atlantikut të Veriut Në një letër, drejtuar dje Ministrit të Punëve të Jashtme Lulzim Basha, Kreu i NATO-s shpreh kënaqësinë që informon se të gjitha palët në Traktatin e Atlantikut të Veriut, kanë notifikuar pranë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ratifikimin e Protokolleve të aderimit të Shqipërisë dhe të Republikës së Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, nënshkruar në Bruksel më 9 Korrik 2008. Rrjedhimisht, Protokollet kanë hyrë në fuqi. Kështu së bashku me Kroacinë vendi ynë do të zërë vendin e anëtarit të barabartë në Aleancë këtë javë në samitin që përkon me 60-vjetorin e krijimit të saj. Sekretari Scheffer shkruan gjithashtu se Shqipëria do të bëhet palë në këtë traktat ditën e depozitimit të instrumentit të saj të aderimit pranë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Jam i lumtur t’Ju informoj se të gjitha Palët në Traktatin e Atlantikut të Veriut kanë notifikuar pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ratifikimin e Protokolleve të Aderimit të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kroacisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, nënshkruar në Bruksel më 9 Korrik 2008. Rrjedhimisht, Protokollet kanë hyrë në fuqi. Në emër të gjitha Palëve, jam veçanërisht i nderuar ti komunikoj Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ftesën për të aderuar në Traktatin e Atlantikut të Veriut. Në përputhje me nenin 10 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, Republika e Shqipërisë do të bëhet Palë në këtë Traktat ditën e depozitimit të instrumentit të saj të aderimit pranë Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me këtë rast dua të shpreh kënaqësinë time personale dhe të të gjithë anëtarëve të tjerë për anëtarësimin e vendit tuaj në NATO”, shkruan Scheffer.
Në vijim të kësaj letre, Ministri Basha ka udhëzuar Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Uashington të depozitojë instrumentin e ratifikimit të Aderimit të Shqipërisë në Traktatin e Atlantikut të Veriut, në Departamentin Amerikan të Shtetit. Depozitimi i instrumenteve të ratifikimit do të kryhet më 1 prill në një ceremoni të përbashkët të ambasadorëve shqiptar dhe kroat në Uashington.
Shqipëria dhe Kroacia u ftuan për të aderuar në NATO në Samitin e një viti më parë në Bukuresht.
Protokollet e anëtarësimit u nënshkruan nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO- s në korrik të vitit 2008 dhe në një kohë rekord në historinë e Aleancës ato u ratifikuan nga Parlamentet e 26 vendeve anëtare të saj, çka bëri të mundur ftesën zyrtare të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Kështu, në Samitin e Strasburg/Kehl, Shqipëria merr pjesë si anëtare e Aleancës politike dhe ushtarake më të fuqishme që ka njohur historia, duke siguruar të ardhmen, lirinë dhe zhvillimin e saj të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror.