Potez i qëlluar i Sejdiut
Në tetor të vitit të kaluar, në KS të OKB-së, me 77 vota pro, u miratua propozimi i Serbisë që shpallja e pavarësisë së Kosovës të dërgohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ky propozim serb vështirë se do të kalojë, kur dihet se çdo popull e ka të drejtën legjitime për vetvendosje. Këtë të drejtë e kanë edhe shqiptarët, të cilët qenë të okupuar për 90 vjet nga Serbia hegjemoniste. Pretendimi serb që të ngrihet statusi politik me mosnjohje të reja të shtetit më të ri në botë, kësaj radhe nuk do të pijë ujë. Të gjitha argumentet janë në anën e shqiptarëve. Këshilli i Sigurimit të OKB-së, prej që është formuar e deri më sot, shumë pak ka bërë në zgjidhjën e ndonjë vatre të krizës në botë. Kjo organizatë që përbëhet nga 192 anëtare, me shumë shtete të pademokratizuara, nuk ka se si të zgjidhë vatra të krizës anëkënd rruzullit tokësor. Duke pasur parasysh se edhe superfuqitë botërore e kanë të drejtën e vetos, shumë e ka vështirësuar funksionimin dhe efikasitetin e OKB-së. Dështimi i radhës i kësaj organizate ishte kur pavarësia e Kosovës u zgjodh jashtë saj. Rusia i pengoi disa rezoluta me radhë për zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, çka e detyruan edhe presidentin amerikan, Xhorxh Bush, të deklaronte gjatë vizitës së tij në Shqipëri se pavarësia, dosido, do të ndodhë. Prandaj, edhe Kosova e shpalli pavarësinë në mënyrë unilaterale. Kosova në këtë relacion edhe nuk ka kurrfarë detyrimesh ndaj KS të OKB-së, administratës së UNMIK-ut dhe rezolutës 1244. Në këtë kontekst, edhe plani gjashtëpikësh i Ban Ki Munit për shtrirjen e EULEX-it, ishte dashur të jetë i vdekur. Edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi nga gazetarët që plani gjashtëpikësh të mos përmendet fare. Kosova tashmë e ka Kushtetutën e saj, e cila edhe e mori bekimin e bashkësisë ndërkombëtare, dhe çdo ndarje e pushtetit me UNMIK-un, nuk ka kurrfarë logjike. Shtetet më të fuqishme botërore e kanë pranuar pavarësinë e vendit. Ato shpesh po e përsërisin se procesi i pavarësisë është i pakthyeshëm dhe se shpallja e pavarësisë është bërë konform normave të së drejtës ndërkombëtare. Deklarata e kryetarit të Kosovës, z. Fatmir Sejdiut, që Serbia të paditet për gjenocid, edhe pse duket pak sa e vonuar, bëhet në një moment të volitshëm politik. Është fakt se Serbia e kryekriminelit Millosheviq ka bërë gjenocid mbi shqiptarët, dhe ngritja e një padie të tillë është e logjikshme, pa marrë parasysh epilogun që do të këtë. Padi për gjenocid patën bërë edhe Bosnja dhe Kroacia, por të cilat nuk morën ndonjë përgjigje pozitive nga TPI-ja. Por, si do që të jetë, propozimi i presidentit Sejdiu, është me vend dhe në kohë të duhur. Sigurisht që ekipi i ekspertëve nga Kosova do të jetë në përbërje të forte, duke mbrojtur me efikasitet ligjshmërinë e shpalljës së pavarësisë së saj. Millosheviqi edhe nisi luftën shkatërrimtare me motivacionin fashist për krijimin e Serbisë së Madhe të projekteve dhe eleborateve të krijuara qysh më parë. Në vend që Sërbia mu për këtë gjë, fill pas luftës, të dënohet për gjenocid ndaj popujve josllavë, të akuzohej nga kjo gjykatë, tani paditet Kosova prej saj!!! Ky është natyrisht absurditet i llojit të vet…
...