E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Dialogu politik me Serbinë nuk është në tavolinë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, komenton dialogun teknik me qeverinë e Serbisë, ndërsa mohon të ketë një axhendë për dialogun politik. “Fillimisht me rëndësi është që Serbia të pranojë realitetin e ri të krijuar në Kosovë.”

Dialogu politik me Serbinë nuk është në tavolinën e Prishtinës, por as të Brukselit e Uashingtonit. Kështu thotë në një intervistë për radion Europa e Lirë kryeministri Hashim Thaçi. Ai komenton edhe konfliktet në veri të Kosovës dhe nevojën për të bashkëpunuar me qytetarët serbë që jetojnë atje.

Zoti Kryeministër, pas anulimit të bisedimeve të fundit në Bruksel, gjithnjë e më tepër po flitet për nisjen e një dialogu politik me Serbinë. Është thënë se edhe ju mbështesni një dialog të tillë?

Prej vitit të kaluar, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka rekomanduar dialogun për çështje teknike mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, pastaj Parlamenti i Kosovës ka marrë vendim dhe Qeveria e Kosovës ka filluar dialogun në Bruksel me Serbinë, mund të them se është hapur një proces i ri, ai i çështjeve të dialogut teknik. Tani kemi tre konkluzione të përbashkëta, kemi edhe marrëveshjen mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë për vulat doganore, dialog ky që udhëhiqet nga Bashkimi Europian, i mbështetur nga SHBA-të. Kemi edhe planin e përbashkët operacional të Qeverisë së Kosovës dhe të gjitha autoriteteve ndërkombëtare që ka filluar të implementohet në Veri në pikat 1 dhe 31, ku kemi policinë e Kosovës dhe doganierët e Kosovës. Pra, dialogu do të vazhdojë, dialogu i çështjeve teknike. Natyrisht se do të ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që të ndodhë njohja reciproke mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, që është zgjidhja më e mirë dhe më e pranueshme për gjithë botën. Ky do të ishte mesazhi më i mirë për paqen, stabilitetin, bashkëpunimin rajonal dhe perspektivën euro-atlantike të popujve dhe vendeve tona. Kështu që mendoj se dialogu teknik do të vazhdojë, por do të ishte me interes që të ndodhë njohja në mes dy shteteve tona, në mënyrë që të hapet perspektiva europiane për vendet tona.

Marrë parasysh qëndrimet aktuale të qeverisë së Serbisë, një njohje eventuale nuk duket në horizont. Gjatë kësaj periudhe, a do të ketë apo jo dialog politik?

Fillimisht me rëndësi është që Serbia të pranojë realitetin e ri të krijuar në Kosovë, ndërsa njohja të ndodhë gradualisht nga Serbia për shtetin e Kosovës dhe nga Kosova për shtetin e Serbisë, që të vazhdojnë rrugën e tyre euro-atlantike si dy vende sovrane. Diçka e tillë çka ju po pyesni, as që është në tavolina të punës së ndokujt as në Prishtinë, as në Bruksel e as në Uashington. Por, në të njëjtën kohë, jemi shumë të përgjegjshëm për vazhdimin e dialogut për çështje teknike. Natyrisht se do të duhej të ndodhte gradualisht edhe mirëkuptimi dhe gatishmëria e lidershipit politik të Prishtinës dhe Beogradit për një marrëveshje të fqinjësisë së mirë dhe njohjes reciproke.

Pra, për të qenë më konkretë, ju nuk e mbështesni një dialog politik pa njohjen nga ana e Serbisë?

Me Serbinë do të ketë vazhdimisht raporte, sikurse me vendet tjera fqinje. Diçka e tillë nuk është në tavolinat e kryeqyteteve tona, as në Prishtinë, as në vendet e BE-së, as në SHBA, por gjithë bota e mbështet ndërtimin e raporteve të fqinjësisë së mirë dhe ndonjë marrëveshje të përbashkët për njohje reciproke.

Keni thënë se problemet në Veri nuk mund të zgjidhen brenda disa orëve. A nënkupton kjo që, për të bindur serbët e Mitrovicës, për të larguar barrikadat, do të duhet megjithatë ndihma e Beogradit?

Në asnjë rrethanë nuk duhet t’i identifikojmë qytetarët serbë në Veri me barrikadat dhe mentalitetin izolues dhe bllokues. Qytetarët në Veri kanë vullnet të mirë për jetë të re, kanë vullnet për Kosovën europiane, kanë vullnet për zhvillim, kanë vullnet për jetë të re, kanë nevojë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e mirëqenies sociale. Diçka të tillë do të vazhdojë ta bëjë Qeveria e Kosovës, të jetë sa më afër tyre. Natyrisht se këto 12 vite janë vite të humbura për ata qytetarë atje, por ne do të vazhdojmë me veprimet tona afirmative që të fillojmë me zhvillimin ekonomik të vazhdojmë me projekte konkrete për të ndryshuar jetën e tyre sa më mirë, qoftë me ndërtimin e shkollave të reja, ambulancave, kanalizimeve, ujësjellësve, trotuareve, rrugëve, urave ajo se çka kanë nevojë. Pra, qeveria e Kosovës do të jetë në shërbim të nevojave të qytetarëve në Veri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›