E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urdhri i Merites per Mario Pescante

Mario Pescante, deputeti i Parlamentit italian, njëkohësisht Kryetar i Komisionit të 14-të për çështjet e Bashkimit Europian dhe zv.president i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, është vlerësuar me “Urdhrin e Meritës”.

Titulli i dhënë nga presidenca ka ardhur pas propozimit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe është një vlerësim për kontributin e shquar të zotit Pescante në zhvillimin e lëvizjes olimpike dhe të sportit shqiptar. Roli i tij, në zhvillimin sportiv, por edhe në afrimin e Shqipërisë me Europën, është vlerësuar nga Ministri i Sporteve, Aldo Bumçi.

Nga ana e tij, parlamentari italian dhe njëkohësisht drejtuesi i lartë i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, u shpreh i lumtur për rikthimin në Shqipëri dhe vlerësoi zhvillimin e vendit tonë, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe drejt integrimit europian.

“Me këdo që u takova, kryeministrin, presidentin, kryetaren e Parlamentit e të gjithë të tjerët, më kanë bërë të ndihem si në familje. Kam ardhur në Shqipëri në vitin 1990; është edhe meritë e juaja që jam dashuruar me këtë vend. gjatë qëndrimit tim këtu kisha kënaqësinë të shikoja që vendi juaj është rritur, që sporti juaj është rritur, madje keni në krye të KOKSH një presidente femër dhe ky është një tjetër tregues që Shqipëria është në rrugën e modernizimit. Ju jeni një vend që ecën vetë dhe tashmë sforco e fundit nga unë dhe vendi im do të jetë tju ndihmojmë të hyni në Europë. Europa ju ka vendosur disa rregulla, rregulla të cilat ju ia keni mësuar gjithmonë atletëve tuaj, pasi rregullat e sportit vlejne kudo në jetë dhe në të gjitha kohët”- u shpreh Pescante.

Zoti Pescante e ka marrë me vonesë “Urdhrin e meritës”, për shkak të impenjimeve të tij në Olimpidën, “Londër 2012”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›