Urgjenca e Traumës, rreth 37 mijë pacientë kanë marrë shërbim infermieror në janar-korrik

TIRANË, 11 gusht /ATSH/ Rreth 37 mijë pacientë kanë marrë shërbim nga ekipi infermieror në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës gjatë periudhës janar-korrik 2026, mes tyre edhe rreth 420 shtetas të huaj.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale vlerëson punën e infermierëve të Urgjencës së Traumës, të cilët janë në vijën e parë të trajtimit të pacientëve dhe përballen çdo ditë me një fluks të lartë rastesh.
Shërbimi i Urgjencës në Spitalin Universitar të Traumës është shërbimi i specializuar në vend për pritjen dhe trajtimin e rasteve të traumave dhe politraumave, ku reagimi i shpejtë dhe ndërhyrja profesionale janë thelbësore për pacientët.
MSHMS vlerëson rolin e ekipit infermieror në ofrimin e kujdesit në çdo orë, veçanërisht në situatat emergjente, ku çdo sekondë është e rëndësishme.
“Mirënjohje për infermierët e Urgjencës së Traumës, për punën e palodhur dhe për kujdesin që ofrojnë çdo ditë, në çdo orë”, thuhet në njoftim.
Sipas MSHMS, shifrat e gjashtëmujorit të parë të vitit dëshmojnë fluksin e lartë të pacientëve që marrin shërbim në urgjencën e Traumës dhe angazhimin e vazhdueshëm të stafit mjekësor e infermieror në përballimin e rasteve emergjente.
/e.i/r.e/a.f/