E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urgjencat mbushen nga të rritur e fëmijë

Temperaturat e ulëta dhe i ftohti që ka kapluar vendin në këto ditë, ka shtuar fluksin e të sëmurëve që kërkojnë ndihmë mjekësore pranë urgjencave të spitaleve. Vetëm gjatë ditës së djeshme në urgjencën e Spitalit Pediatrik në QSUT janë paraqitur me qindra fëmijë. Mjekët pranë urgjencës shprehen se ndërlikimet më të shumta lidhen me frymëmarrjen dhe bllokimin e rrugëve të sipërme. Ulja e menjëhershme e temperatura ka shtuar problemet shëndetësore tek fëmijët. Bluzat e bardha bëjnë të ditur se fëmijët kanë paraqitur simptoma si bllokim hundësh, temperaturë të lartë dhe diarre. Në këto raste mjekët bëjnë thirrje për dërgimin sa më të shpejtë të fëmijës pranë qendrave shëndetësore për dhënien e ndihmës mjekësore, në mënyrë që të mos neglizhohet asnjë simptomë. Probleme shëndetësore janë shfaqur edhe tek të rriturit, ku gjatë fundjavës mjekët e urgjencës në QSUT raportojnë fluks të lartë pacientësh. Sipas të njëjtave burime, rastet më të shumta janë nga personat që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe tensioni, duke prekur më së shumti këta të sëmurë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›