Doping, Fuentes trondit Spanjën: Po fola unë, Botërori është në rrezik

Ish-gjinekologu prej 30 vitesh eshte kthyer ne doktorin me te perfolur ne bote, pasi shpeshhere eshte ndaluar nga aksionet e antidopingut
Eufemiano Fuentes nuk flet me gazetarët, por këtë gjë e bën me shokët e qelisë. Doktori “i keq” flet për disa çështje që janë aq të rëndësishme, saqë edhe dy prej gazetave më të mëdha në Spanjë, “Marca” dhe “El Mundo Deportivo”, detyrohen që të citojnë fjalët e shokëve të tij të qelisë. Me pak fjalë, “thelbi” i deklaratës së mjekut nga ishujt Kanarie është: “Nëse flas unë, do të na tërheqin si Evropianin, ashtu edhe Botërorin”. Kështu, me këto fjalë, doktori në fjalë “ngushëllon” bashkëvuajtësit e tij.
Operacioni “Puerto”
Gjinekologu, pas operacionit “Puerto” (kështu u emërua operacioni antidopind në çiklizëm në Spanjë më 2006), pohoi në atë kohë për francezen “Le Monde” që midis klientëve të tij kishte edhe “atletë, tenistë dhe futbollistë”. Më pas, e përditshmja transalpine në atë kohë hodhi hije dyshimi edhe mbi Barçën. Më pas klubi nga Katalonja, në 2008-n, fitoi gjyqin (për shpifje) ndaj gazetës në fjalë që u detyrua të derdhte në kasat “blaugrana” plot 300 mijë euro.
Druvari
Dy ditë më parë gjykata numër 24 e “Plaza Castilla” priti edhe 6 persona të tjerë që janë ndaluar gjatë operacionit “Galgo” (operacion i fundit, për nga rendi kohor, antidopingu në Spanjë). Midis tyre, Eufemiano Fuentes, i arrestuar kohë më parë nga Guardia Civil në aksionin e quajtur operacioni “Puerto” është në pritje të një vendimi. Ish-gjinekologu, që prej 30 vitesh është kthyer në njërin nga mjekët më të përfolur sportivë. Ai është protagonisti i madh i këtij gjyqi. Ai flet vetëm me avokatin e tij dhe i tregon se është i pafajshëm, ndërkohë që pasi mbaron “punë”, del nga hyrja e prapme e gjykatës dhe merr aeroplanin për në Gran Kanaria, ku zbret me një këmishë druvari (me kuadrate) dhe pulovra plot ngjyra, ndërkohë që shokët e qelisë, keqbërës të zakonshëm, që s’kanë lidhje fare me operacionin “Galgo”, dalin nga porta e parë e gjykatës, aty ku përfitojnë për të shijuar minutat e lavdisë përpara gazetarëve që i presin.
Qeli e njëjtë
Gazetat spanjolle tregojnë se “zëdhënësit” për shtyp të Fuentesit quheshin David, Robinson e Abedlhakim. Ata thanë se Fuentesi e Manuel Paskua, “mjeshtri” i trajnerëve të atletikës spanjolle, nuk ishin në të njëjtën qeli. Më tej ata treguan se 77-vjeçari nuk ia kalonte shumë mirë në burg. Tre të rinjtë e cilësonin Eufemianonin si një “burrë interesant, simpatik dhe shumë miqësor”: “Na tha se është hera e dytë që e arrestonin. Në të parën ai tregoi se i kishin gjetur disa gjëra (prova), por duke qenë se nuk kishte ligje që dënonin substancat e ndaluara atëherë, e kishin lënë të lirë. Ndërsa kësaj radhe, ligji antidoping është, por nuk i kanë gjetur asnjë provë. Ai ka përgënjeshtruar zërat që thoshin se ishte mjeku i Marta Domingezit. Ai na tha se policia vepron si në vitet ‘60 (‘gjithmonë arrestonin të njëjtin hajdut bankash, vetëm sepse kishte vjedhur një herë’)”. Në fund të rinjtë treguan edhe marrëdhëniet që kishte mjeku në fjalë me dopingun dhe futbollin: “Ai na tha se nëse do të fliste, Spanja nuk do të merrte as Evropianin e as Botërorin, por unë e frenova, - pohoi Davidi, - the i thashë se isha i pasionuar pas sportit, prandaj nuk më interesonte të dëgjoja historinë e tij”.
Lidhjet me Marta Domingezin
Tre të rinjtë deklaruan edhe arsyet se përse Fuentes ndodhet në burg. Sipas tyre, vetë doktori kishte rrëfyer: “Jam brenda, pasi Marta Domingez (triumfoi në Berlin në garën e 3000 metrave me pengesa) është edhe kampione bote dhe prokurorët duan që të tregojnë lidhjen tonë. Por unë ju siguroj se as që e njoh atë”.
Reagimi
Pas publikimit të këtyre akuzave të rënda, reagimi i lojtarëve spanjollë ka qenë i menjëhershëm: “Kemi fituar Evropianin dhe Botërorin me bindje të plotë që nuk ishim të dozuar”, - deklaroi dje mesfushori i Barcelonës dhe i përfaqësueses spanjolle, Ksavi Hernandez. Nga ana tjetër, komisari teknik i “furive të kuqe”, Del Boske, tha: “Nuk mund të them asgjë. Unë me sytë e mi nuk kam parë asgjë të jashtëligjshme”.