E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urimi Berisha Rizgjedhja e Obames plotesisht e merituar

Kryeministri Berisha, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e sotme të qeverisë uroi Barack Obamën për rizgejdhjen në krye të SHBA. Por veç mesazhit të urimit për rizgjedhjen e Presidentit Obama, u ndal dhe në zhvillimet politike në vend, ku i drejtoi një tjetër ftesë kryetarit të opozitës, për të votuar tre ligjet kushte për marrjen e statusit të plotë të vendit kandidat. Njëkohësisht, kreu i mazhorancës sqaroi dhe me keqkuptimet sa i takon kremtimeve për 100 vjetorin e Pavarësisë. 

Rizgjedhja e Obamës, plotësisht e merituar  Një rizgjedhje plotësisht e merituar. Kështu e ka cilësuar rizgjedhjen si Presisident i SHBA-së, Barack Obama, Kryeministri Berisha. Në fillim të fjalës së tij në mbledhjen e sotme të qeverisë, Berisha vlerësoi rolin e Obamës në këto katër vite jo vetëm për SHBA por dhe për mbarë botën.  Barack Obama udhëhoqi SHBA dhe botën në kohën më të vështrirë, pas Luftës së Dytë Botërore. Në udhëheqjen e tij SHBA  përballuan me sukses krizën më të thellë në historinë pas viteve 30 të shekullit të kaluar dhe u shndërua faktor udhëheqës së shpresës”, vuri në dukje Berisha. Njëkohësisht, në këtë meritë, kreu i qeverisë përfshiu dhe kontributin e SHBA nën drejtimin e Obamës për vendosjen dhe konsolidimin e paqes dhe stabilitetit në botë.  “Iraku është sot një vend tjetër nga ai që ishte katër vite më parë, po kshtu Afganistani ka një perspektivë të qartë, Pranvera Arabe është një sukses i ShBA në promovimin e paqes demokracisë dhe stabilitetit. Bota është më e sigurtë pa krye terroristin Bin Laden. Katër vitet e parë të Obamës kanë qenë vitet e dialogut me intensiv ndërkombëtar, dialog që i ka shërbyer trajtimit të problemeve më madhore në favor të interesave të qytetarëve”, deklaroi Kryeministri. Në këtë takim, Berisha shfrytëzoi rastin t’i përcjellë Presidentit Obama urimet dhe vendosmërinë e qeverisë për bashkëpunim me aleatin dhe mikun më të madh, strategjik të shqiptarëve, të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e jashtëzakonshme që ky vend mik dhe Obama i kanë dhënë Shqipërisë.  “I garantoj se do përpiqemi që me modesti të japin kontributin tonë përkrah vendit të madh amerikan”, shtoi Berisha. 
Ftesa për votimin e tre ligjeve për integrimin Por gjatë kësaj mbledhje, kreu i ekzekutivit u ndal dhe në tre kushtet e BE-së për marrjen e plotë të statusit të vendit kandidat, duke i drejtuar një tjetër ftesë kryetarit të opozitës që të votojë këto ligje.  Po u nisëm nga interesi i qyetetarëve nuk mund të ketë asnjë pengesë për miratimin e tre ligjeve kusht për integrimin. Ndaj e ftoj Ramën të votojë 3 ligjet për integrimin. Për Gjykatën e Lartë ne pranuam amendamentet e PS. Duhet të konsolidojmë më tej shërbimin civil dhe ndaj jemi të gatshëm të dëgjojmë propozimet e PS”, u shpreh Berisha. Ndërsa sa i takon reformës parlamentare, kreu i qeverisë vlerësoi se me insistimin e tij Rama synon që të shpallet Kryeministër. “E drejta e kryeministrit jo si ajo e Ramës, nuk mund të pranojmë që parlamenti të kthehet në arenë e dy vetëve”, nënvizoi Kryeministri.  Por duke qenë se lidershipi socialist e kushtëzon votën pro tre ligjeve me qarkun e Fierit, Berisha ofroi alternativën, e cila do të zgjidhte dhe një ngërç të tillë, konkretisht atë të ndërmarrjes së mocionit nga ana e të zgjedhurve vendorë në këtë qark. 
 “Nuk ka njeri që mund të lidhë ligjin e Gjykatës së Lartë me Fierin sepse janë dy gjëra të ndryshme. Nëse Rama dyshon në statusin aktual të qarkut FR, të kryetarit të anëtarëve të qarkut, atëherë i ofroj një kompromis të qartë politik, secili nga anëtarët  dhe instancat t’i nënshtrohen mocionit të besimit, ata në bashki në këshillat bashkiake dhe në komuna dhe përbërja e këshillit të mund të përcaktohet përmes këtij votimi. Por nuk ka jashtë kushteve ligjore, askush nuk mund të cënojë mandatin e këshilltarit, sepse është deputeti i rajonit. E kam thënë 10 herë, më ka dëgjuar të shkoj në Gjykatë të shkoj për Paulinin, njerëzit nuk janë skllevër. Mendoj të mos lidhim të palidhshmen, por urdhërto të votohet ligji në interesin më të mirë dhe meqenëse ke bërë kazus të madh për Fierin t’i vëmë në mocion. Pse ke frikë? Nuk mund të mohosh të drejtën ligjore për anëtarët e këshillave. Këto tre ligje janë kërkuar në mënyrë eksplicite nga Komisioneri Fyle, kur paraqiti progress-raportin për Shqipërinë. Është absurde të besosh se do krijosh kapital politik nga bllokimi”, sqaroi Berisha. 

Festimet në Tiranë dhe Vlorë, s’ka përjashtime Nisur nga vetë momenti i rëndësishëm për vendin, kreu i mazhorancës i bëri thirrje Ramës që më votë në Kuvend për tre ligjet e BE-së, të eleminojë çdo cenim të mundëshmë të këtij muaji të rëndësishëm për vendin. Njëkohësisht Kryeministri i mëshoi me forcë faktit se në kremitimet për 100 vjetorin nuk ka përjashtime as të Tiranës e as të Vlorës.  “Ky është një muaj shumë i veçantë, festojmë dhe të ndihemi krenar e të privilegjuar për 100 vjetorin e pavarësisë. E festojmë sepse qëndrojmë mbi sakrificat mbinjerëzore të shqiptarëve në këto 100 vite. Më vjen shumë mirë që Rama do jetë me ne më 8 nëntor në Vlorë bashkë me ne. Absurditet se nuk do festohej në Vlorë, sepse do festohet në mënyrë madhështore. Por, nëse për një provincializëm të shkuar hoxhist mendon se do përjashtohet Tirana, them se Tirana nuk është e imja apo Ramës, por e të gjithë shqiptarëve. Tirana nuk mund të përjashtohet. Nëse ndokush mendon se duke përjashtuar kryeqytetin nga festimet e 100 vjetorit, i them se ka mbetur të paktën 200 vjet mbrapa, kur nuk dihej se ku binte Tirana. Më 28 do të nderojmë bashkë Ismail Qemalin, qytetarët e Vlorës dhe shqiptarët. Ky muaj kërkon bashkim, më shumë se çdo gjë tjetër është apel të bashkohemi rreth interesit të vendit, që është më i pari”, nënvizoi Berisha, lidhur me një çështje të tillë. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›