E Diel, 1 Nëntor 2026

Urman, 200 vjet larg

Regjisorja Naomi Urman, me një kamera 60-vjeçare shkëput copëza reale të një qyteze në Ukrainë rreth 200 vjet larg realitetit të sotëm. Është qyteti ku lindën të parët e saj, e në përballjen me të vërtetën ajo është surprizuar totalisht që nga mënyra e jetesës së banorëve, deri tek rezultati “i parezultat” që mori duke rendur pas gjakut familjar. Pikërisht këtë udhëtim ajo e ka pasqyruar në një film, të cilin Urman e ka shfaqur mbrëmë si një produksion përshëndetës në “Tirana Internacional Film Festival”, të titulluar “Unamed Film” (Pa titull)

Urman, 200 vjet larg

Intervistoi: Suela Furriku

Rikthimi qindra vjet mbrapa në kohë në kërkim të rrënjëve familjare e ka çuar atë në një aventurë të re, pararojë e eksperiencave të tjera vijuese në konkretizimin e një filmi eksperimental. Gjithçka që ka përjetuar vite me radhë, regjisorja Naomi Urman i rrëfen në sinkrone filmike. Nuk është fanatike e mjeteve të sofistikuara në shëmbëllimin e realitetit të egër me të cilin përballet, ku sipas saj ka ndjekur një linjë krejtësisht abstrakte. Me një kamera 60-vjeçare shkëput copëza reale të një qyteze në Ukrainë, rreth 200 vjet larg realitetit të sotëm. Është qyteti ku lindën të parët e saj, e në përballjen me të vërtetën ajo është surprizuar totalisht që nga mënyra e jetesës së banorëve, deri tek rezultati “i parezultat” që mori duke rendur pas gjakut familjar. Pikërisht këtë udhëtim ajo e ka pasqyruar në një film, të cilin Urman e ka shfaqur mbrëmë si një produksion përshëndetës në “Tirana Internacional Film Festival”, të titulluar “Unamed Film” (Pa titull). Veç kësaj, njëkohësisht ajo është edhe një nga anëtaret e jurisë së edicionit të gjashtë të TIFF, ndërkohë që tregon përshtypjet e para që ka marrë sapo ka kaluar në kufirin e “shqiponjave”.

Ju jeni një prej anëtarëve të jurisë në “Tirana Internacional Film Festival”, cili është mendimi juaj lidhur me këtë edicion?

Festivali në të vërtetë është fenomenal. Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij edicioni si anëtare e jurisë, edhe pse e di që ka shumë probleme. Është fjala për peripecitë financiare, por edhe pse me kaq pak mbështetjeje monetare kam vënë re që festivali po ecën shumë mirë. Veç kësaj më kanë bërë shumë përshtypje edhe filmat që kanë marr pjesë në këtë edicion, të cilët deri tani tepër dinjitoz. Më vjen mirë që edhe biletat e hyrjes janë gratis të paktën për aq kohë sa zgjat festivali.

Sa filma keni arritur të shikoni deri tani?

Deri në ditën e sotme (dje) unë kam parë vetëm 12 filma të gjinive të ndryshme dhe për këtë unë kam mbetur shumë e surprizuar. Shoh që përzgjedhja e tyre është shumë interesante dhe se sa shumë filma kanë marrë pjesë në këtë festival.

Cili është filmi që të ka pëlqyer më shumë deri tani?

Ka qenë filmi i animuar zviceran “Dora e ariut” me skenar të Maria Rosseti. Subjekti i filmit flet për tre vëllezër që gjenden në një pyll të dendur. Një ditë vëllai i vogël i duhej të shkonte në pyll i vetëm, por frika e tij ishte aq e madhe saqë i mbajti sytë e tij të mbyllur dhe u përplas me një ari tjetër. Më pëlqen shumë.

Mbrëmë është shfaqur edhe një film juaji përshëndetës, të cilin e keni titulluar “Unamed film”, për çfarë flet ai, konkretisht?

Filmi im ka gjashtë seri, por vetëm njëri prej tyre duhej të shfaqej mbrëmë në kinema, i cili shkonte rreth 55 minuta i gjatë. Seria që u prezantua fliste për një udhëtimin tim në një qytet të vogël që quhet Uman, në Ukrainë. Unë jam amerikanë por me origjinë të largët nga Ukraina dhe thjesht për të realizuar këtë film dhe për arsye se më duhej me domosdoshmëri të provoja jetën e një emigranti. Para se të realizoja këtë film në Amerikë ma refuzuan në një farë mënyre këtë ide, për shkak se unë do të pasqyroja jeta e një emigranti. Mirëpo, meqë unë nuk e kisha provuar asnjëherë këtë lloj jete, u ndjeva e detyruar që të merrja një iniciativë të ngjashme. Për këtë unë kam zgjedhur vendin e stërgjyshërve të mi, në Ukrainë, Urman.

Filmi flet më pas për një kërkim timin për rrënjët e mia familjare në një mënyrë shumë abstrakte, ku si përfundim nuk arrij të gjej asnjë lidhje gjaku. Në këtë qytet të vogël unë gjej vetëm njerëz që jetonin në kushte shumë primitive dhe të varfra. Më dukej sikur jetonin rreth 150-200 vjet mbrapa me kohën reale. Kjo vjen për shkak të besimit të tyre si çifut që ishin, pra ishte një pelegrinazh i tyre në një film. Unë, për t’i personifikuar sa më mirë imazhet që kam ndeshur, e kam përshtatur edhe me një kamera shumë të vjetër, 60-vjeçare.

Pse e keni lënë filmin tuaj pa emër?

Historia e mbiemrit tim është emëruar krejt gabimisht. Kur stërgjyshërit e mi kanë ardhur në Nju Jork dikush i ka pyetur për emrin, ndërkohë që ata kanë menduar se janë pyetur për vendin se nga kanë ardhur, kështu që na ka mbetur Urman. Kjo është arsyeja që filmin e kam titulluar “pa emër” ku unë u ktheva aty ku është edhe origjina e emrit tim, por nuk arrita të gjej asnjë lloj lidhje gjaku me asnjë të afërt.

Si e keni përjetuar momentin kur jeni përballur me vendin e origjinës suaj?

Në momentet e para kam qenë shumë e emocionuar. Edhe tek filmi unë luaj me kohën. Çdo xhirim që kam bërë e kam lënë sipas radhës së filmuar, dhe nuk e kam ndryshuar renditjen e tyre në rend kronologjik. Dhe personazhi kryesor jam unë vetë dhe pse nuk shfaqem, përveç në pjesën e parë. E gjithë historia vërtitet rreth meje, por më shoqëronte edhe ndjenja sikur jetoj në mes të gjirit tim familjar. Pasi atmosfera që më krijojnë njerëzit në atë qytet më bënte të ndihesha në këtë mënyrë.

Si jeni pritur nga banorët e qytetit?

Shumë ngrohtë, sepse ata nuk arrinin ta konceptonin se si një i huaj mund të vinte dhe të jetonte në kushte primitive. Nuk e imagjinoni dot se si një njeri që vjen nga bota moderne të vijë dhe të jetojë në një vend që nuk ka as kushtet minimale të jetesës si ngrohje, frigorifer etj. Në mëngjesin e parë kur jam zgjuar sapo kam hapur derën kam gjetur një shishe qumësht të freskët dhe bukë të sapogatuar në shenjë mikpritjeje.

Është për t’u theksuar se të gjithë rendin pas jetës së lakmuar amerikane, ndërsa ju duke e pasur këtë mundësi e keni lënë për të jetuar nën një vend rreth 200 vjet mbrapa në kohë, pse kjo zgjedhje?

Është e vërtetë. Unë kam lindur dhe jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në këtë vend unë e kuptoj të gjithë jetën dhe proceset e saj të përditshmërisë. Kurse në Ukrainë është shumë ndryshe, çdo ditë unë njihem me aventura të reja, dhe kjo më pëlqen sepse unë jam në kërkim të dijeve për të kuptuar më shumë dhe për ta bërë botën sa më të vogël.

Cilat kanë qenë vështirësitë që mund t’ju kenë penguar gjatë realizmit të këtij filmi?

Vështirësitë kanë qenë të shumta, por unë kur bëj një film unë jetoj bashkë me historinë që trajton ai. Për shkak të kushteve shumë pak të favorshme për të jetuar, më është dashur që të pres dru me sëpatë, të gatuaj vetë. Madje, kur unë u vendosa në shtëpinë time kishin mbjellë vetëm tërshërë që hanin kafshët. Në Ukrainë gjuhën fillimisht nuk e flisja edhe aq mirë, dhe pasi unë kisha mbjellë disa bimë filluan të mbinin disa hibride që unë nuk i kuptoja se çfarë ishin. Pas kësaj fillova të mendoja se mos isha e çmenduar, pasi nuk po kuptoja asgjë se çfarë po ndodhte, kështu që fillova t’i shkulja një e nga një. Kam studiuar veç kësaj gjuhën ruse në Kiev për një muaj, por pasi mbërrita në qytezën e të parëve të mi, mësova se aty nuk flisnin gjuhën që sapo kisha përvetësuar, por një tjetër. Ndërkohë që anglishten askush nuk mund ta fliste, e në këtë mënyrë m’u desh ta mësoja natyrshëm gjuhën e tyre por pa ditur gramatikën, rregullat etj.

Sa kohë ka që jetoni në Ukrainë?

Tashmë janë bërë rreth tre vjet që jetoj në Ukrainë në kushte krejt të ndryshme në krahasim me ato që kam lënë në SHBA. Jetoj në një fshat të vogël dhe të varfër. Atje nuk kam as makinë, as televizor, as internet, megjithëse kam vetëm një muaj që e kam lidhur tashmë, me përjashtim të celularit.

Sa e vështirë ishte për ju të ambientoheshit me kushtet e vështira që ju kanë pritur në këtë qytezë?

Ka qenë e mrekullueshme për mua, sepse kam pasur shumë kohë që të lexoja shumë libra, të punoj në kopsht, të bëj shumë punime të ndryshme me dorë, gatime tradicionale,

Keni qenë më parë në Shqipëri? Çfarë dinit më parë për të?

Jo, kjo është hera e parë që vij në Shqipëri. Për të kam dëgjuar pak, por unë jam edhe pedagoge në një universitet në Amerikë dhe kam pasur një studente që vinte nga Shqipëria.

Çfarë po ju bën më shumë përshtypje nga Shqipëria?

Në fakt nuk kam shumë ditë që kam ardhur dhe mendoj se është shumë herët për të nxjerrë një konkluzion. Megjithatë mund të them se njerëzit në pamje të parë janë më miqësorë, kanë një ngjyrë tjetër të lëkurës, ndërsa në Ukrainë janë të gjithë të bardhë, si dhe të shohin si me inat dhe me një vështrim të egër.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›